Shqipëria Postuar më 26 September 2026, 10:24

450 mln euro detyrime të fshira/ Nga ligji i faljes tatimore përfitojnë mbi 220 mijë tatimpagues

Nga Dorian Koça

Profesionist-i-lire-taksa-tatime-pune-1.png

Zbatimi i ligjit për faljen tatimore vijon të japë rezultate konkrete. Deri më 31 gusht 2026, janë fshirë, ose shuar detyrime tatimore në vlerën e rreth 450 milionë eurove, ose 41.2 miliardë lekë, sipas të dhënave të publikuara nga Administrata Tatimore.

Skema e faljes ka prekur kategori të ndryshme detyrimesh tatimore dhe kontributesh, ndërsa në total raportohen rreth 220 mijë tatimpagues përfitues, sipas kategorive përkatëse. Pjesën më të madhe të detyrimeve të falura e zë tatimi mbi fitimin, me rreth 138.4 milionë euro, i ndjekur nga TVSH-ja, me rreth 137.4 milionë euro.

Në kategoritë e tjera përfshihen rreth 72.7 milionë euro, ndërsa kontributet shoqërore arrijnë në rreth 40 milionë euro. Detyrime të tjera të trajtuara nga skema përfshijnë tatimin e mbajtur në burim, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, tatimin e thjeshtuar mbi fitimin dhe tatimin mbi të ardhurat individuale.

Administrata Tatimore deklaron se vijon zbatimin e ligjit dhe mbështetjen e tatimpaguesve në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara nga skema.

Shifra prej 450 milionë euro përfaqëson detyrime të falura, ose të shuara në kuadër të ligjit dhe nuk duhet interpretuar si një pagesë e kryer nga buxheti i shtetit. Për të vlerësuar ndikimin financiar të masës, rëndësi ka edhe ndarja mes principalit tatimor, interesave dhe gjobave të falura.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat