Analiza Postuar më 26 September 2026, 11:35

Mbetjet, Vlora në krye/ Mbeturinat urbane për banor, turizmi rëndon qarqet bregdetare

Nga Xhorxhina Deda

873b85a0-795d-44e0-a30f-1c32c3559194.jpeg

Vlora rezulton qarku me sasinë më të lartë të mbetjeve urbane të menaxhuara për banor në Shqipëri. Gjatë vitit 2024, në këtë qark u administruan mesatarisht 609.8 kilogramë mbetje për banor, rreth 69% më shumë se mesatarja kombëtare prej 360 kilogramësh. 

Diferenca me pjesën tjetër të vendit është e ndjeshme. Pas Vlorës renditet Tirana me 451.9 kilogramë për banor, ndërsa Durrësi arrin në 416 kilogramë. Lezha, me 373.1 kilogramë, është gjithashtu mbi mesataren kombëtare. Në skajin tjetër të renditjes qëndron Dibra, ku sasia e mbetjeve të menaxhuara ishte vetëm 179.9 kilogramë për banor, më pak se gjysma e mesatares së vendit. Elbasani regjistroi 219.6 kilogramë dhe Gjirokastra 242.1 kilogramë. 

Shifrat bëhen edhe më interesante kur Vlora krahasohet me Tiranën. Kryeqyteti administron pjesën më të madhe të mbetjeve të vendit, rreth 39.8% të totalit, ndërsa Vlora përfaqëson vetëm 10.4%. Megjithatë, kur sasia vendoset në raport me popullsinë, Vlora del dukshëm në krye. 

Një faktor që meriton analizë është turizmi. Vlora dhe Durrësi presin gjatë sezonit veror një numër të madh vizitorësh dhe popullsia faktike që konsumon, qëndron dhe gjeneron mbetje mund të jetë shumë më e lartë se popullsia rezidente që përdoret në llogaritjet për frymë. Vetë të dhënat e mbetjeve nuk provojnë se turizmi është shkaku i diferencës, por hendeku i madh mes qarqeve bregdetare dhe disa qarqeve të brendshme e bën këtë një shpjegim që kërkon shqyrtim të mëtejshëm.

Në total, gjatë vitit 2024 në Shqipëri u gjeneruan rreth 940 mijë tonë mbetje urbane, prej të cilave 91.6% u menaxhuan. Në Vlorë niveli i menaxhimit arriti në 96% të mbetjeve të gjeneruara, një nga normat më të larta në vend. 

mbetjee.PNG

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat