Shqipëria Postuar më 26 September 2026, 11:50

Ulen borxhet ndaj OSHEE/ Stoku i detyrimeve zbret në 79.35 mld lekë. Ndikimi nga familjarët, privatët dhe institucionet

Nga Ola Mitre

-1000-0-Energji-shtylla-4-1016.jpg

Borxhi që klientët kanë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka shënuar rënie gjatë 6 muajve të parë të vitit, në raport me fundit e vitit të kaluar. Në fund të qershorit, stoku i detyrimeve të papaguara arriti në 79.35 mld lekë, nga 80.89 mld lekë në fund të dhjetorit 2025. Diferenca është rreth 1.55 mld lekë.

Rënia e stokut total të borxhit është ndikuar kryesisht nga ulja e detyrimeve të papaguara të klientëve familjarë, bizneseve dhe institucioneve publike, ndërkohë që detyrimet e kategorisë jobuxhetore kanë pësuar rritje.

Më specifikisht detyrimet e familjarëve zbritën në 43.85 mld lekë në fund të qershorit, nga 45.16 mld lekë në fund të vitit të kaluar. Kjo kategori mban edhe pjesën më të madhe të borxhit total ndaj OSHEE-së.

Rënie kanë shënuar edhe faturat e papaguara nga bizneset. Stoku i detyrimeve të klientëve privatë arriti në 9.14 mld lekë, kundrejt 9.50 mld lekëve në fund të dhjetorit. Ndërsa për institucionet buxhetore, borxhi u ul nga 5.32 në 5.14 mld lekë.

Në të kundërt, detyrimet e klientëve jobuxhetorë, ku përfshihen edhe shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve, u rritën gjatë 6-mujorit. Borxhi i kësaj kategorie arriti në 21.21 mld lekë, nga 20.91 mld lekë në fund të vitit 2025.

Edhe pse stoku i përgjithshëm është tkurrur, detyrimet e papaguara ndaj OSHEE-së mbeten në nivelin pranë 80 mld lekëve, duke reflektuar vështirësitë e vazhdueshme në arkëtimin e plotë të faturave të energjisë elektrike.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat