Shqipëria Postuar më 14 Tetor 2022, 13:59

Inflacioni, sfida për stabilitetin makroekonomik” - Sejko: Zbutja dhe kthimi i tij në objektiv, në fokus të punës së Bankës së Shqipërisë

Nga SCAN TV
Inflacioni, sfida për stabilitetin makroekonomik” - Sejko: Zbutja dhe

Gjatë mbledhjeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në një takim mjaft të rëndësishëm mbi krizën energjetike dhe ndikimin socio-ekonomik të saj në Ballkanin Perëndimor.

Guvernatori theksoi se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të shënojë përmirësim, ndërsa shprehu angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të dhënë të gjithë mbështetjen e duhur. Sejko theksoi se inflacioni vazhdon të mbetet një sfidë kryesore për stabilitetin makroekonomik, rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të vendit, pavarësisht se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet. Inflacioni është rritur ndjeshëm dhe pritet të ulet gjatë vitit 2023. Marrja e masave për zbutjen dhe kthimin e tij në objektiv është në fokus kryesor të punës së bankës qendrore. Guvernatori Sejko u shpreh se fillimi i normalizimit të politikës monetare ka qenë i nevojshëm për të zbutur këtë tregues, ndërkohë që ka pasur një vigjilencë të shtuar ndaj normave më të larta të interesit për të ruajtur stabilitetin financiar.

Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së mbështetën ndryshimin e kursit të politikës monetare të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë dhe shtuan se kushtet monetare janë ende akomoduese, pavarësisht nga rritjet e njëpasnjëshme e normës së interesit.

Guvernatori theksoi se rritja ekonomike do vijojë të përfitojë nga stabiliteti i përgjithshëm, nga bilancet e shëndosha të familjeve dhe bizneseve, si dhe nga mbështetja me kredi nga sektori bankar, i cili paraqitet i shëndetshëm, likuid dhe i mirëkapitalizuar. Reformat e vazhdueshme të ndërmarrë në vitet e fundit kanë dhënë frytet e veta. Konsolidimi i sektorit bankar, përmirësimi i ambientit të kredisë, zhvillimi i gjithanshëm i tregjeve financiare dhe i sistemeve të pagesave, si dhe nismat për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare, kanë sjellë përmirësime të dukshme cilësore në qëndrueshmërinë dhe eficiencën e sektorit bankar.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së shtuan se sistemi bankar i ka përballuar mirë goditjet e njëpasnjëshme, mbështetur nga përpjekjet e vazhdueshme të BSH-së për të forcuar rregullimin dhe mbikëqyrjen. Përmirësimi i këtyre të fundit, në përputhje me standardet e BE-së, do mund t’u siguronte autoriteteve mjete për të menaxhuar më mirë rreziqet e stabilitetit financiar. Gjithashtu, ata inkurajuan vijimin e mëtejshëm të përpjekjeve drejt de-euroizimit të ekonomisë, si një masë e nevojshme për një transmetim më të mirë të politikës monetare dhe ruajtjes së stabilitetit financiar.

Lorenc Rabeta / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat