Shqipëria Postuar më 17 October 2026, 21:22

Tirana, dita e pestë e protestave, përplasje dhe dëme, nis evidentimi i humbjeve të bizneseve

Nga Scan TV

Tirana, dita e pestë e protestave, përplasje dhe dëme, nis

Përplasje, të lënduar dhe dëme në institucione e biznese. Qeveria nis evidentimin e dëmeve përmes e-Albania.

Tirana u përball edhe këtë të shtunë me protesta dhe përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë. Në ditën e pestë të mobilizimit të studentëve dhe të rinjve, tubimi nisi përpara Ministrisë së Arsimit dhe vijoi me incidente në disa zona të qendrës së kryeqytetit, duke sjellë persona të lënduar dhe dëmtime të tjera të pronës publike e private.

Gjatë protestës, grupe demonstruesish hodhën gurë, sende piroteknike dhe bomba molotov në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë. Përplasjet u zhvendosën më pas drejt Kryeministrisë dhe akseve të tjera të qendrës, ku u raportuan dëmtime të infrastrukturës dhe të objekteve të ndryshme.

Në orët e pasdites dhe të mbrëmjes, incidente u regjistruan edhe pranë ish-Hotel Dajtit, godinë e përdorur nga Banka e Shqipërisë, si dhe pranë Gjykatës së Lartë, ku u raportuan vatra zjarri. Dëmtime të tjera u evidentuan edhe në subjekte tregtare dhe ambiente bankare, ndërsa forcat e policisë vijuan ndërhyrjet për kontrollin e situatës.

Një nga zhvillimet e ditës ishte edhe përdorimi i fishekëve të gomës gjatë ndërhyrjeve policore. I pyetur për këto raste, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se mjetet e përdorura janë të lejuara dhe se përdorimi i tyre ka qenë i kufizuar.

Në një konferencë për mediat, kreu i Policisë bëri publik edhe bilancin e pesë ditëve të fundit. Sipas të dhënave të prezantuara pasditen e së shtunës, 167 persona janë arrestuar dhe 388 të tjerë janë proceduar penalisht. Autoritetet raportuan gjithashtu 132 punonjës policie të lënduar gjatë kësaj periudhe.

Paralelisht me zhvillimet në terren, qeveria njoftoi këtë të shtunë nisjen e një procesi për evidentimin dhe mbështetjen e bizneseve të vogla që kanë pësuar dëme gjatë protestave.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në një subjekt tregtar të dëmtuar në Tiranë, prezantoi dritaren e posaçme “Dëmi im” në platformën e-Albania, përmes së cilës bizneset mund të regjistrojnë dëmet e pësuara.

Sipas njoftimit të kreut të qeverisë, subjektet duhet të paraqesin të dhënat e tyre identifikuese, vlerën e përafërt të dëmit dhe dokumentacionin mbështetës, përfshirë fotografi dhe fatura. Njëkohësisht, dhjetë grupe të administratës tatimore janë ngarkuar me verifikimin e dëmeve në terren dhe hartimin e një regjistri të subjekteve të prekura.

Qeveria ka premtuar mbështetje financiare për bizneset e vogla të dëmtuara, por ende nuk ka një vlerë përfundimtare të dëmeve apo një bilanc të shumës që do të nevojitet për kompensimin e tyre. Procesi i regjistrimit dhe verifikimit do të shërbejë si bazë për përcaktimin e mëtejshëm të masave të mbështetjes.

Zhvillimet e kësaj të shtune pasojnë katër ditë protestash të nisura më 13 tetor, fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit. Studentë dhe të rinj u mblodhën për të shprehur pakënaqësitë lidhur me kushtet në arsim, kostot e studimit, mundësitë e punësimit dhe çështje të qeverisjes.

Gjatë ditëve në vijim, krahas këtyre kërkesave, u artikuluan edhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestat u shoqëruan me përplasje të përsëritura me policinë, arrestime dhe procedime penale, si dhe dëmtime të godinave shtetërore, degëve bankare, njësive tregtare dhe infrastrukturës urbane.

Ndër objektet e prekura gjatë këtyre pesë ditëve janë raportuar Ministria e Arsimit, Ministria e Ekonomisë, institucione të tjera publike, degë bankare, bankomate dhe biznese private.

Pasojat e këtyre zhvillimeve janë reflektuar edhe në funksionimin e përditshëm të disa shërbimeve në kryeqytet.

Një prej sektorëve të prekur është ai bankar. Shoqata Shqiptare e Bankave konfirmoi se disa degë dhe bankomate kanë pësuar dëmtime materiale, ndërsa një pjesë e institucioneve financiare kufizuan përkohësisht oraret ose numrin e degëve në funksion, me qëllim garantimin e sigurisë së klientëve dhe punonjësve.

Megjithatë, Shoqata ka sqaruar se dëmtimet fizike të objekteve bankare nuk cenojnë në vetvete depozitat e qytetarëve apo funksionimin e përgjithshëm të sistemit bankar. Klientëve u është rekomanduar përdorimi i shërbimeve digjitale dhe konsultimi i njoftimeve të bankave përpara paraqitjes në degë.

Ndikime janë regjistruar edhe në aktivitetin tregtar, kryesisht në zonat ku janë zhvilluar përplasjet. Disa sipërmarrje janë përballur me dëmtime të ambienteve, kufizime të aksesit dhe ndërprerje të përkohshme të aktivitetit.

Përfaqësues të biznesit kanë kërkuar mbrojtjen e pronës publike dhe private, garantimin e sigurisë dhe vijimësinë e aktivitetit ekonomik.

Megjithatë, deri tani nuk është përcaktuar një faturë e plotë financiare e dëmeve. Krahas kostove të riparimit të objekteve dhe pajisjeve, pasojat ekonomike mund të përfshijnë edhe të ardhurat e parealizuara nga bizneset, shpenzimet për rikthimin e shërbimeve dhe kostot shtesë të sigurisë. Përmasat e këtyre ndikimeve do të mund të vlerësohen pas përfundimit të inventarizimit dhe verifikimeve përkatëse.

Zhvillimet e ditëve të fundit kanë sjellë reagime edhe nga institucionet dhe përfaqësitë ndërkombëtare. Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri kanë bërë thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe dialog, duke theksuar rëndësinë e respektimit të së drejtës për protestë paqësore dhe të parimit të proporcionalitetit në ndërhyrjet policore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat