Europa Postuar më 6 Shtator 2022, 14:24

Hungaria me agjenci të pavarur anti-korrupsion - Kryeministri Orban nënshkruan dekretin. Hap kyç për zhbllokimin e fondeve të BE

Nga SCAN TV
Hungaria me agjenci të pavarur anti-korrupsion - Kryeministri Orban

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka nënshkruar një dekret për krijimin e një agjencie të pavarur kundër korrupsionit, një hap kyç për zhbllokimin e fondeve thelbësore të Bashkimit Europian që arrijnë në 5.8 miliardë euro deri në vitin e ardhshëm.

Qeveria ra dakord më herët për të ndërmarrë një sërë masash që do të parandalonin, ose luftonin korrupsionin, për të cilin BE ka thënë se ishte një nga faktorët që duhej të adresohej, ose fondet nga blloku mund të ndaloheshin.

Agjencia, që do të krijohet më 21 nëntor, do të “ndërhyjë në rastet kur konsideron se autoritetet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për të parandaluar mashtrimin, konfliktin e interesit, korrupsionin dhe paligjshmëritë, apo parregullsitë e tjera që mund të dëmtojnë financat publike dhe menaxhimin e buxhetit të BE”, theksohet në dekret.

Ekzekutivi do të krijojë gjithashtu një grup pune kundër korrupsionit deri më 1 dhjetor, me një numër të barabartë anëtarësh nga qeveria, si dhe pjesëmarrës joqeveritar.

Komisioni Europian ka intensifikuar përpjekjet për respektimin e të drejtave të njeriut në Hungari, nga pavarësia e gjyqësorit te statusi i pakicave. Duke përdorur një mekanizëm të ri që i lejon të mbajë miliarda euro financime, komisioni tha në korrik se përpjekjet e Hungarisë për të adresuar shqetësimet deri më tani kanë dështuar.

Qeveria është zotuar të rrisë pjesëmarrjen e bizneseve në prokurimet publike, të prezantojë një kornizë për matjen e performancës dhe të shkurtojë procedurat e prokurimit me një ofertë të vetme. Sipas dekretit, do të bëhet publik edhe vlerësimi i këtyre tenderëve.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat