Gjermania shqyrton kthimin te energjia bërthamore - Synimi është shmangia e krizës energjetike në dimër!

Pas kthimit te termocentralet me qymyr, qeveria gjermane po shqyrton mbajtjen e centraleve bërthamore. Synimi është shmangia e krizës energjetike në dimër.
Gjermania druhet se mund të përballet në dimër me mungesë të energjisë elektrike. Në këtë situatë, qeveria po shqyrton të gjitha burimet e mundshme për të shmangur këtë skenar. Gazi, me të cilin mbusheshin më parë boshllëqet energjetike është kthyer tani në burim të pa preferuar. Kjo pasi pas fillimit të luftës në Ukrainë Rusia e ka kufizuar në 20% të sasisë të mëparshme furnizimin për Gjermaninë. Qeveria po ndërton me shpejtësi katër terminale për të importuar gaz të lëngshëm, LNG. Por gazin e shtrenjtuar që do të importojë, ajo është e detyruar ta kursejë sa më shumë.
Në këtë kuadër qeveria po shqyrton se a mund ta zbusin centralet bërthamore një krizë të furnizimit me energji të Gjermanisë. Kancelari Scholz ka lënë të kuptohet se centralet bërthamore të vendit mund të mos mbyllen sipas planit, në fund të këtij viti.
Gjasat që të mbeten hapur centralet bërthamore
Diskutimi publik për këtë hap ka nisur që në mars. Atëherë u kërkua edhe që të zgjatet koha në punë e termocentraleve me qymyr. Sa i madh është rreziku për krizën energjetike në Gjermani në dimër, këtë ministri i Ekonomisë Robert Habeck po përpiqet ta konstatojë aktualisht me një test stresi, me një skenar të rastit më të keq.
Edhe pa përfunduar testi, sipas një burimi mendohet se Bavaria, landi federal i dytë nga madhësia i Gjermanisë, mund të ndodhet në një situatë problematike në rast krize energjetike në dimër. Kjo pasi energjinë elektrike Bavaria e prodhon kryesisht nga gazi dhe energjia bërthamore. Ndaj centrali i parë bërthamor, mbajtja e të cilit mund të zgjatet është ai në Bavari, Isar 2. Gjermania ka në punë edhe dy centrale të tjera bërthamore: në Baden-Vyrrtemberg (Neckarwestheim 2), në landin e tretë për nga madhësia të Gjermanisë, dhe në Saksoninë e Poshtme (Emsland). Së bashku ato prodhojnë rreth gjashtë përqind të nevojës për energji të Gjermanisë.
Mbajtja e centraleve bërthamore - thyerje tabuje për Gjermaninë
Mbajtja e centraleve bërthamore konsiderohet thyerje tabuje për Gjermaninë, sepse braktisja e energjisë bërthamore qe vendosur me ligj, që në vitin 2011. Pas katastrofës së Fukushimës, kancelarja Angela Merkel vendosi mbylljen deri në fund të 2022-it të centraleve bërthamore të Gjermanisë. Për këtë vendim ajo pati atëherë mbështetje të gjerë: si një rrugë për siguri më të madhe; për të shpëtuar nga mbetjet bërthamore të centraleve; por edhe për të nxitur burimet e ripërtëritshme të energjisë.
Deri kur nisi lufta në Ukrainë, as që mendohej që ky vendim të sprapsej. Por me shpërthimin e luftës dhe me ndryshimin e politikës së Rusisë, u pa e nevojshme qe Gjermania të shkëputej nga varësia e madhe energjetike nga Rusia, në radhë të parë për furnizim me gaz. Pra veç kthesës epokale në mbrojtje, u shtrua nevoja e një kthese edhe energjetike të Gjermanisë.
Centralet bërthamore mund të jenë një burim shtesë, për të kufizuar rritjen e çmimit të energjisë. Aq më tepër kur kërkesa për të mund të rritet: shumë njerëz mund të kalojnë në ngrohje me energji elektrike, po të mungojë gazi ose kur ai të shtrenjtohet.
Me gaz Gjermania mbulon 13 përqind të nevojave të saj energjetike. Gazin nga Rusia, Gjermania e përdor për industrinë dhe për ngrohje.
Rikthimi te termocentralet me qymyr - hapi tjetër i dhimbshëm
Qeveria po kërkon rrugë për të kursyer gaz, por edhe që çmimet e energjisë të mbeten nën kontroll. Ngritjen e çmimit të gazit në treg dje ajo vendosi megjithatë t'ua transportojë pjesërisht edhe konsumatorëve. Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck tha se çmimi i gazit do të rritet prej 1 tetorit. Për një familje në Gjermani, gazi do të kushtojë nga 300 deri 1000 euro më shumë në vit.
Termocentrali i linjitit Neurath
Është pikërisht kjo situatë kur qeveria gjermane bëri para pak ditësh (13.07.) një hap tjetër: riktheu në tregun e energjisë elektrike centralet që operojnë me qymyr dhe me naftë. Me një dekret u vendos që për një periudhë të kufizuar, deri në fund të dimrit, energji të prodhojnë 27 termocentrale me qymyr. 11 prej këtyre termocentraleve, tashmë në rrjet, nuk do të nxirren prej tij. 16 të tjera do të rifuten në rrjet.
Ministri i Gjelbër i Ekonomisë, Habeck tha se përdorimi i qymyrit është një masë e dhimbshme, por e nevojshme. Objektivi i braktisjes së qymyrit në Gjermani, më e vonta në vitin 2038, sipas qeverisë, mbetet i paprekur. DW
E . S / SCAN
Sondazh

Shqiptarët, më shumë sigurime për jetën e sëmundjet - Janar-qershor, 7 milionë usd në portofolin e Aksidenteve dhe Shëndetit, rritje 16.55%
Gjashtë muajt e parë të vitit 2022 kanë shënuar rritje të dukshme të shqiptarëve që kanë vendosur të sigurohen nga sëmundjet, aksidentet, por edhe jetën. AMF......

Turizimi, dega me potenciale të mëdha - Licaj: Ka kërkesë për studentë, pagat janë rritur
Industria e turizmit ka nevojë për forcë të kualifikuar punëtore me qëllim rritjen e shërbimeve për pushuesit vendas dhe turistët e huaj. Në një intervistë......

Britania eksperimenton javën e shkurtër të punës - Vetëm katër ditë pune në javë, ndërsa projekti do të zgjasë 6 muaj
E paralajmëruar muajt e fundit, eksperimentimi i javës së shkurtër të punës në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur zyrtarisht. Falë një projekti pilot që do të......

Austria “vrapon” të prodhojë vetë energjinë - Vendi importon zakonisht 80% të gazit nga Rusia
Austria importon zakonisht 80% të gazit të saj nga Rusia. Përballë rrezikut të ndërprerjes së furnizimeve, gjithnjë e më shumë vende marrin në dorë situatën......

Mona Lisa është e sigurtë - Sistemi “i gjetur” që freskon ndërtesat e Parisit në kohë krize
Edhe Franca është goditur nga një valë anomale të nxehtit. Por Mona Lisa reziston ndaj këtyre temperaturave. Për kryeveprat e artit ajri i kondicionuar mund të......

Çfarë ndodhi me e-Albania-n? Autoritetet shqiptare të rezervuara me informacionet: Dy sulme e dy hetime! Balluku: Reformë e thellë të gjithë sektorit
Dy sulme ndaj portalit unik qeveritar e dy hetime, një nga ekipi i Microsoft e një nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me FBI-në amerikane. Ka qenë ky......

30 mijë lekë subvencionim për çdo hektarë grurë - Krifca: 1.2 miliardë lekë më shumë në skemën kombëtare të bujqësisë
Për çdo fermerë që prodhon mbi një hektarë grurë do të financohet me shumën 30 mijë lekë. Ky është vendimi I radhës që qeveria ka vendosur të marrë për të......

Rekord i kostos së produkteve të shportës në Itali - Më i larti që nga viti 1984!
Muaji korrik pati një rritje të ndjeshme në koston e produkteve të shportës: çmimet e ushqimeve, produkteve shtëpiake dhe të kujdesit personal shkuan nga +8,2......