Europa Postuar më 1 Qershor 2023, 10:51

Fond strategjik për produktet "Made in Italy" - Qeveria italiane jep 1 miliard euro në mbështetje të kompanive vendase

Nga SCAN TV
Fond strategjik për produktet "Made in Italy" - Qeveria italiane

Qeveria e Italisë miratoi një projektligj për të krijuar një fond në mbështetje të firmave vendase. Fondi i ardhshëm strategjik kombëtar për produktet "Made in Italy" do të ketë një shumë fillestare prej 1 miliard euro dhe do të synojë të nxisë prokurimin e "lëndëve të para thelbësore".

Fondi i ri gjithashtu mund të investohet në firma vendase, që nuk operojnë në sektorin financiar. Skema do të synojë të mbledhë të paktën 500 milionë euro shtesë nga investitorët privatë.

Aktualisht, qeveria po kërkon fonde sovrane të pasurisë të Arabisë Saudite, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Azerbajxhanit dhe Norvegjisë për t'i dhënë fondit më shumë ‘fuqi’.

Projekti është pjesë e një propozimi më të gjerë nga administrata e djathtë që synon mbështetjen e biznesit italian, duke u fokusuar në prodhimet dhe industritë tradicionale të vendit si makaronat, qeramika dhe punimet e drurit.

Qeveria planifikon të financojë fondin prej 1 miliard euro përmes një pjese të burimeve të destinuara fillimisht për "Ripromovimin e Trashëgimisë", një fond i nisur në vitin 2021 për të mbështetur kompanitë e goditura nga pandemia.

I drejtuar nga huadhënësi shtetëror ‘Cassa Depositi e Prestiti’ - CDP, fondi fillimisht kishte për qëllim të siguronte rreth 40 miliardë euro financim, por deri më tani ka investuar vetëm rreth 1 miliard. Pasi projektligji të miratohet nga parlamenti, qeveria do të nxjerrë një dekret që përcakton se si do të funksionojë fondi.

Plani i Italisë merr shkas nga një iniciativë e shpallur këtë muaj në Francë, ku firma private e kapitalit ‘InfraVia Capital Partners’ do të krijojë një fond prej 2 miliardë eurosh dedikuar projekteve të materialeve të rralla, një e katërta e të cilit do të financohet nga Parisi.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat