Bota Postuar më 29 Nëntor 2023, 10:30

Fluturimi i parë transantlantik me karburant ekologjik - Objektivat e kompanisë dhe skepticizmi i ambientalistëve

Nga SCAN TV
Fluturimi i parë transantlantik me karburant ekologjik - Objektivat e

Fluturimi i parë transatlantik i fuqizuar nga karburantet ekologjike është tashmë një fakt. Një avion pasagjerësh Virgin Atlantic fluturoi nga Londra në Nju Jork i fuqizuar nga karburanti 100% ekologjik - SAF.

Linjat ajrore po përdorin karburantin e prodhuar nga mbeturinat për të reduktuar emetimet e tyre deri në 70%, duke i lejuar ato të vazhdojnë të operojnë përpara se udhëtimi ajror elektrik dhe hidrogjeni të bëhet realitet në dekadat e ardhshme.

I operuar nga një Virgin Boeing 787, i mundësuar nga motorët Rolls-Royce Trent 1000, ky është fluturimi i parë komercial në distanca të gjata me 100% karburant ekologjik. Ai pason kalimin e suksesshëm transatlantik të javës së kaluar nga një avion biznesi Gulfstream G600 duke përdorur të njëjtin karburant.

Themeluesi miliarder i Virgin Atlantic, Richard Branson, CEO i linjës ajrore Shai Weiss dhe Sekretari britanik i Transportit Mark Harper ishin të gjithë në bordin e avionit që u nis nga London Heathrow dhe mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy në Nju Jork.

Nuk kishte pasagjerë që paguajnë në bord, apo ngarkesë në atë që Virgin e ka quajtur Flight100, i cili kreu fluturimin vetëm disa ditë përpara fillimit të bisedimeve për klimën COP28 në Dubai të enjten.

Karburanti ekologjik përdoret tashmë në motorët e avionëve si pjesë e një përzierjeje me vajgurin tradicional, por pas testeve të suksesshme në tokë, Virgin dhe partnerët e tij Rolls-Royce, Boeing, BP dhe të tjerë kanë marrë miratimin për të fluturuar duke përdorur vetëm SAF.

Shumë linja ajrore europiane - duke përfshirë Virgin, British Airways, në pronësi të IAG dhe Air France - kanë thënë se synojnë të përdorin 10% karburant ekologjik deri në vitin 2030 dhe objektivi i industrisë për emetimet "neto zero" deri në vitin 2050 bazohet në rritjen e kësaj pjese në 65%. Sidoqoftë, qëllimi i vitit 2030 duket sfidues, duke pasur parasysh vëllimet e vogla të karburant ekologjik dhe koston e tij të lartë, aktualisht tre deri në pesë herë më shumë se karburanti i zakonshëm i avionëve. Në tetor, kreu i IAG paralajmëroi se ekzistonte një rrezik më i madh se 90% që industria nuk do të përmbushte mandatin e Bashkimit Europian për disponueshmërinë e SAF në 2025 -ën.

Grupi mjedisor Stay Grounded e quajti fluturimin "një shpërqendrim i gjelbër". Sipas tyre zëvendësuesit e karburantit nuk janë aspak të imagjinueshëm në kornizën kohore të nevojshme për të shmangur kolapsin e klimës. Ajo që nevojitet urgjentisht është të reduktohet djegia e lëndëve djegëse fosile për avionët, që do të thotë reduktim i fluturimeve kudo që të jetë e mundur.

Industria e aviacionit shpreson që fluturimi i Virgin Atlantic të nxjerrë në pah nevojën për t'u ofruar qeverive mbështetje financiare për ta bërë karburantin ekologjik më të disponueshëm.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat