Bota Postuar më 28 Nëntor 2023, 20:30

Nafta ngjitet sërish në mbi 80 USD - OPEC+, drejt konsensusit me vendet afrikane mbi kuotat e prodhimit

Nga SCAN TV
Nafta ngjitet sërish në mbi 80 USD - OPEC+, drejt konsensusit me

Çmimet e naftës i janë rikthyer fitimeve në sesionin e sotëm, me Brentin e Londrës që është ngjitur sërish në mbi 80 dollarë për fuçi, për shkak të pritshmërive se prodhuesit e OPEC+ mund të thellojnë dhe të shtyjnë marrëveshjen për uljen e prodhimit edhe gjatë vitit 2024. OPEC+, që përbëhet nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e tjerë përfshirë Rusinë, do të zhvillojë takim ministror të enjten për të diskutuar objektivat e prodhimit për vitin 2024.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 80.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 75.5 dollarë për fuçi. Analistët shprehen se, me përjashtim të ndonjë surprize negative, rënia e fundit e çmimeve ndoshta do të shihet si një mundësi blerjeje, veçanërisht nëse vendet prodhuese bien dakord për ulje të mëtejshme.

Javën e kaluar, tregu ra ndjeshëm kur OPEC+ njoftoi se takimi i parashikuar për t’u zhvilluar më 25 dhe 26 nëntor, u shty për në datën 30 nëntor, për të zgjidhur divergjencat mbi objektivat e prodhimit me prodhuesit afrikanë.

Që nga java e kaluar, grupi ka punuar drejt një kompromisi, deklaruan për Reuters katër burime të OPEC+, duke ndihmuar liderin de facto të grupit, Arabinë Saudite, të gjejë një konsensus mbi nevojën për të thelluar shkurtimet e prodhimit.

Nafta ka gjetur një mbështetje edhe nga dobësimi i dollarit amerikan, që e bën naftën më të lirë për zotëruesit e monedhave të tjera. Ndërkohë, investitorët po presin edhe të dhënat mbi rezervat e naftës në SHBA për javën e kaluar. Analistët e anketuar nga Reuters parashikojnë një rënie të tyre me rreth 2 milionë fuçi.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat