Bota Postuar më 28 Nëntor 2023, 19:30

Dollari, në nivelin më të ulët në 3 muaj - Investitorët po presin inflacionin në SHBA dhe në Eurozonë

Nga SCAN TV
Dollari, në nivelin më të ulët në 3 muaj -

Dollari amerikan po qëndron në nivelin më të ulët në 3 muajt e fundit, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, ndërsa investitorët po presin të dhënat mbi inflacionin në SHBA dhe në Eurozonë.

Indeksi i dollarit, që mat ecurinë e monedhës së gjelbër kundrejt gjashtë monedhave kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 103.2, niveli më i ulët që nga fundi i gushtit. Gjatë këtij muaji, ky indeks ka humbur 3% të vlerës, performanca më e dobët mujore në thuajse një vit.

Investitorët po presin të mësojnë më tepër detaje mbi lehtësimin monetar dhe kushte më të mira për asetet me risk. Ndërkohë, euro dhe paundi po tregtohen gjithashtu të qëndrueshme, në rreth 1.0950 dhe 1.2630 dollarë respektivisht, pranë niveleve më të larta në 3 muaj.

Pritshmëritë e tregut që cikli i rritjes së normave të interesit nga Rezerva Federale ka përfunduar, ka ushtruar gjithashtu presion mbi monedhën e gjelbër. Analistët vlerësojnë 25% mundësi që Fed mund të fillojë të ulë normat e interesit që në mars dhe 45% mundësi për uljen e interesave në maj. Tregtarët po presin edhe të dhënat mbi shpenzimet e konsumit personal, që është masa e preferuar e inflacionit nga banka qendrore amerikane, dhe të dhënat mbi inflacionin në Eurozonë. Ndërkohë, jeni japonez po këmbehet i qëndrueshëm në rreth 148.5 për dollar.

Ndërkohë, gjatë fjalimit të mbajtur në Parlamentin Europian, presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde deklaroi se presionet inflacioniste në eurozonë po lehtësohen, por rritja e pagave është ende e fortë dhe perspektiva është veçanërisht e pasigurt.

Për këtë arsye, sipas Lagarde, lufta e BQE për të frenuar rritjen e çmimeve nuk ka përfunduar ende. BQE e rriti normën bazë të interesit në një rekord prej 4,% në fillim të këtij viti për të ndaluar rritjen e çmimeve, por ka sinjalizuar një politikë të qëndrueshme për tremujorët e ardhshëm dhe tregjet kanë filluar të pozicionohen për uljen e parë të normës bazë në prill ose qershor të vitit të ardhshëm.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat