Scan Life Postuar më 14 Tetor 2025, 09:17

Jetëgjatësia globale kthehet në nivelet para pandemisë - Shtetet evropiane, me mesataren më të lartë. Udhëheq Spanja

Nga Kristi Ceta

Jetëgjatësia globale kthehet në nivelet para pandemisë -

Jetëgjatësia globale është rikthyer në nivelet para pandemisë, por dallimet e mëdha mes rajoneve mbeten, sipas një studimi të ri. COVID-19 u bë shpejt shkaku kryesor i vdekjes në mbarë botën kur pandemia përfshiu globin në vitin 2020, duke ulur pritshmërinë e jetës në një mesatare prej 71.7 vjet për personat e lindur në 2021.

Por në vitin 2023, COVID-19 ra në vendin e 20-të si shkak i vdekjeve, pas disa sëmundjeve kronike, sëmundjes së Alzheimerit dhe çrregullimeve neonatale. Pritshmëria globale për jetën u rrit në 73.8 vjet.

Sëmundjet kronike tani përbëjnë afërsisht dy të tretat e vdekjeve dhe sëmundjeve në botë, kryesuar nga sëmundjet e zemrës, goditjet në tru dhe diabeti, sipas studimit të publikuar në revistën mjekësore The Lancet.

Faktorët e rrezikut si mbipesha, duhanpirja dhe ndotja e ajrit luajnë një rol të madh në përhapjen e sëmundjeve kronike. Nëse këta faktorë do të trajtoheshin, thuajse gjysma e vdekjeve në botë mund të parandalohej, sipas vlerësimeve të studiuesve.

“Rritja e shpejtë e popullsisë së plakur në botë dhe ndryshimet në faktorët e rrezikut kanë hapur një epokë të re sfidash për shëndetin global,” thonë studiuesit.

Ekipi analizoi të dhëna për 375 sëmundje dhe lëndime, si dhe 88 faktorë rreziku për 204 vende duke filluar nga viti 1990.

Në fokus ishin kryesisht pesë shtete të mëdha evropiane: Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar. Sëmundjet e zemrës ishin shkaku kryesor i vdekjeve në secilin prej këtyre vendeve, përveç Francës, ku kanceri i mushkërive ishte në krye të listës.

Jetëgjatësia në këto pesë vende ishte gjithashtu shumë më e lartë se në pjesën tjetër të botës, duke variuar nga 80.9 vjet në Gjermani në 83.2 vjet në Spanjë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat