Shqipëria Postuar më 13 Tetor 2025, 14:21

Tiranë-Durrës, nisin punimet për riparimin - Ndërhyrje në segmentin Vorë-Ura e Dajlanit, kosto 50.8 mln lekë

Nga Ola Mitre

Tiranë-Durrës, nisin punimet për riparimin - Ndërhyrje

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur punimet për riparimin e nënshtresave dhe shtresave asfaltike në aksin Vorë – Ura e Dajlanit, në autostradën Tiranë – Durrës.

Punimet po zhvillohen në kuadër të projektit “Emergjencë për riparimin e nënshtresave dhe shtresave asfaltike”, me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së këtij segmenti rrugor.

Që prej datës 13 tetor, është parashikuar bllokimi i qarkullimit në drejtimin Vorë–Durrës, në disa segmente e përkatësisht: Vorë–Maminas, Maminas–Sukth, Sukth–Fllakë, Fllakë–Mbikalimi i Shkozetit, dhe Mbikalimi i Shkozetit–Ura e Dajlanit. Punimet në çdo segment do të zgjasin 1 deri në 2 ditë.

Bllokimi i kalimit u pasua me trafik në ditën e parë të punimeve, teksa edhe më herët ARRSH u sugjeroi drejtuesve të mjeteve të përdorin rrugën alternative Vorë–Maminas–Katër rrugët e Shijakut–Durrës, për të shmangur trafikun dhe vonesat.

Pas përfundimit të ndërhyrjeve në krahun Vorë–Durrës, punimet do të vijojnë edhe në drejtimin e kundërt Ura e Dajlanit–Vorë, me të njëjtën ndarje segmentesh dhe afate kohore. Ndërhyrjet në këtë aks kanë një vlerë 50.8 mln lekë, pa TVSH, teksa punimet zbatohen nga kompania Bami Holding. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat