FunData Postuar më 24 Korrik 2026, 12:02

Danimarka dhe Malajzia kryesojnë rritjen e hyrjeve/ Vizitorët ditorë, mbi 286 mijë në gjashtë muaj ose 1,580 në ditë

Nga Xhorxhina Deda

Danimarka dhe Malajzia kryesojnë rritjen e hyrjeve/ Vizitorët

Më shumë se 5 milionë hyrje të shtetasve të huaj u regjistruan në Shqipëri gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vendi priti rreth 297 mijë hyrje më shumë, me një rritje vjetore prej 6.2%.

Peshën kryesore vazhdojnë ta mbajnë vendet fqinje dhe Italia. Nga Kosova u regjistruan mbi 1.7 milion hyrje, ose rreth një e treta e totalit, me rritje 3.8% në raport me vitin e kaluar. Të marra së bashku, Kosova dhe Italia përbëjnë afërsisht 46% të të gjitha hyrjeve të shtetasve të huaj në vend.

Por zhvillimet më interesante vijnë nga tregje më të vogla, të cilat kanë shënuar rritje shumë të shpejtë. Në krye qëndron Danimarka, me 12,492 hyrje, më shumë se trefishi i një viti më parë. Rritja vjetore arriti në 230.8%, më e larta ndër vendet e evidentuara.

Një tjetër rritje e pazakontë u regjistrua nga Malajzia. Hyrjet nga ky vend u shtuan nga 2,429 në 6,508, me një zgjerim vjetor prej 167.9%.

Rritje të forta pati gjithashtu nga Lituania, me 81.4%, India me 78.3%, Finlanda me 57.6%, Izraeli me 49.5% dhe Polonia me 44.8%. Edhe Spanja dhe Ukraina shënuan rritje mbi 40%.

Në anën tjetër, rënia më e madhe u regjistrua nga Arabia Saudite, me 48.2%. Më pak hyrje pati gjithashtu nga Kina, Gjermania, Turqia, Zvicra, Austria dhe disa vende të rajonit.

Sipas qëllimit të deklaruar të udhëtimit, pjesa dërrmuese e hyrjeve, rreth 4.49 milionë, lidhej me pushime, vizita te të afërmit dhe arsye të ngjashme personale. Ndërkohë, rreth 116 mijë hyrje u regjistruan për qëllime biznesi dhe profesionale, ndërsa mbi 166 mijë ishin udhëtarë transit.

Një kategori që bie veçanërisht në sy janë vizitorët ditorë, të cilët hyjnë në Shqipëri pa qëndruar gjatë natës. Në gjashtë muaj u regjistruan 286,584 hyrje të tilla, ose rreth 5.7% e totalit.

Fluksi i tyre u rrit ndjeshëm me afrimin e sezonit. Nga rreth 22 mijë në janar, numri i vizitorëve ditorë arriti në mbi 53 mijë në prill dhe kulmoi në maj me 86,321 hyrje. Në qershor u regjistruan mbi 72 mijë, më shumë se trefishi i nivelit të janarit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat