Scan Intel Postuar më 13 Nëntor 2025, 11:01

Çfarë parashikohet në buxhetin 2026 për mjedisin? Nga ajër më i pastër, te më shumë zona të mbrojtura dhe riciklim efikas

Nga Eldiona Serani

Çfarë parashikohet në buxhetin 2026 për mjedisin? Nga

Projektbuxheti i vitit 2026 parashikon një rritje të konsiderueshme të investimeve në sektorin e mjedisit. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 3.1 miliardë lekë do t’i dedikohen Ministrisë së Mjedisit, çka përfaqëson një rritje mbi 9% krahasuar me vitin e kaluar.

Prioritetet për periudhën 2026–2028 synojnë sigurimin dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit në dobi të brezave të sotëm dhe të ardhshëm, si dhe krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Pjesë e objektivave kryesore do të jetë përdorimi i burimeve pyjore në mënyrë të qëndrueshme, duke i kthyer ato në një element të rëndësishëm të vlerës turistike në zonat bregdetare, malore, historike e kulturore.

Një tjetër qëllim është rritja e sipërfaqes së zonave të mbrojtura dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet njësive të qeverisjes vendore, institucioneve publike dhe partnerëve ndërkombëtarë për menaxhimin e integruar të mbetjeve, me synimin për të kaluar drejt një ekonomie qarkulluese.

Një pjesë e rëndësishme e programit përfshin promovimin e zbatimit të hierarkisë së mbetjeve përmes ndarjes në burim dhe riciklimit në shkallë të gjerë, si dhe forcimin e edukimit mjedisor në përputhje me ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Gjatë periudhës 2025–2028, synohet arritja e përmirësimeve të matshme në cilësinë e ajrit sipas strategjisë kombëtare, përmirësimi i performancës së menaxhimit të mbetjeve dhe rritja e sipërfaqes së zonave të mbrojtura në 24% të territorit kombëtar. Po ashtu, pritet që 68% e mbetjeve të përpunohen në landfille sanitare dhe 20% të riciklohen deri në fund të vitit 2028. Një tjetër objektiv i rëndësishëm është që 69% e grave që jetojnë në zonat e mbrojtura të jenë të informuara mbi ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre në mjedis.

Ky projektbuxhet nënvizon angazhimin e qeverisë shqiptare për të avancuar drejt një zhvillimi më të gjelbër, më të qëndrueshëm dhe në përputhje me standardet bashkëkohore të mbrojtjes së mjedisit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat