Analiza Postuar më 16 Qershor 2025, 10:15

Pensionistë, por në “lëvizje”/ Puna pas daljes në pension është më e zakonshme tek të vetëpunësuarit

Nga Xhorxhina Deda

Pensionistë, por në “lëvizje”/ Puna pas daljes

Sipas të dhënave të Eurostat, në Bashkimin Europian, rreth 56.4% e pensionistëve të vetëpunësuar vazhduan të punojnë pas marrjes së pensionit të pleqërisë. Ky fenomen është veçanërisht i shprehur në vende si Suedia, ku 98.4% e pensionistëve vetëpunësuar mbeten aktivë në tregun e punës, ndjekur nga Finlanda me 88.0% dhe Irlanda me 87.7%. Në anën tjetër, vendet si Spanja me 18.2%, Greqia me 20.3% dhe Sllovenia me 40.4% kanë nivele shumë më të ulëta të këtij fenomeni. Kjo tregon një larmi të madhe në praktikat dhe mundësitë që kanë pensionistët për të mbajtur një aktivitet ekonomik pas daljes në pension.

Në kontekstin shqiptar, tendenca është gjithashtu e dukshme. Sipas statistikave kombëtare të vitit 2023, një pjesë e konsiderueshme e të vetëpunësuarve janë në moshën e pensionit. Konkretisht, rreth 44.1% e vetëpunësuarve në total në grupmoshën 65+ vazhdojnë të punojnë. Për më tepër, 39.3% e të punësuarve në total në grupmoshën 55-64 janë gjithashtu të angazhuar në vetëpunësim. Kjo tregon se të moshuarit në Shqipëri vazhdojnë të jenë aktivë ekonomikisht, shpesh për shkak të mungesës së mbështetjes sociale ose nevojave financiare. Nga të dhënat e INSTAT duket qartë se nga të vetëpunësuarit në total, moshat mbi 55 vjeç kanë përqindjen më të lartë.

Ky fenomen i vazhdimit të punës pas moshës së pensionit lidhet me sfida të ndryshme sociale dhe ekonomike. Në Shqipëri, mungesa e mbulimit të mjaftueshëm në skemat e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve nxit shumë individë që të vazhdojnë aktivitetin ekonomik, sidomos në sektorin informal ose vetëpunësim. Ky është një faktor që ndikon gjithashtu edhe në normën e lartë të punësimit tek të moshuarit.

Të dhënat tregojnë se në të gjithë Europën, dhe veçanërisht në Shqipëri, një pjesë e madhe e pensionistëve vetëpunësuar zgjedhin të qëndrojnë aktivë në tregun e punës, çka pasqyron ndryshimet demografike, ekonomike dhe sociale të kohëve tona.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat