Analiza Postuar më 30 Tetor 2025, 11:14

Mbi 6 mln ton mallra kaluan përmes porteve/ Durrësi vijon të jetë qendra e tregtisë detare

Nga Eldiona Serani

Mbi 6 mln ton mallra kaluan përmes porteve/ Durrësi vijon të

Në Shqipëri operojnë katër porte detare që shërbejnë për transportin e mallrave, ai i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe Limjoni në Sarandë. Ndër to, Porti i Durrësit vijon të mbetet më i rëndësishmi në vend. Vetëm gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, përmes tij është realizuar 95% e volumit të mallrave të transportuara me det, që përkthehet në rreth 2.1 milionë ton. Transporti i volumit të përfaqëson një rritje prej 17.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishin transportuar rreth 1.9 milionë ton mallra. Pas Portit të Durrësit, ai i Shëngjinit renditet i dyti për volumin e transportit të mallrave.

Sa i përket llojeve të mallrave, grupi kryesor përbëhet nga “koks dhe produktet e rafinuara të naftës”, që zënë 19.3% të totalit të mallrave të transportuara në të gjitha portet e vendit. Më pas renditen “Metalet bazë dhe produktet metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisjeve”, me 15.8%, si dhe “Produktet e tjera minerale jo metalike”, të cilat së bashku me qymyrin dhe linjitin përbëjnë  respektivisht 13.7% dhe 6.5% të mallrave të transportuara.

Brenda këtij 3 mujori, disa kategori kanë shënuar ndryshime të ndjeshme: transporti i produkteve bujqësore, të gjuetisë, pyjeve dhe peshkimit ka dyfishuar volumin, ndërsa mallrat e paidentifikuara kanë regjistruar gjithashtu rritje. Nga ana tjetër, disa grupe mallrash si "mobiliet, mallrat e tjerë të përpunuar dhe pajisjet e përdorura për transport" nuk janë transportuar fare gjatë këtij tremujori.

Nëse analizojmë periudhën nëntëmujore të vitit 2025, rezulton se janë transportuar gjithsej rreth 6 milionë ton mallra, duke shënuar një rritje prej 6.1% krahasuar me vitin e kaluar. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, përmes transportit detar janë tregtuar gjithsej 1.4 milionë ton mallra, duke përfshirë si eksportet ashtu edhe importet. Ky volum është rritur me 5.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, çka tregon një zgjerim të aktivitetit tregtar detar. Nga kjo sasi, 32.2% janë mallra të eksportuara jashtë vendit, ndërsa 65.8% përfaqësojnë importet që kanë hyrë në tregun shqiptar përmes porteve detare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat