Europa Postuar më 30 Tetor 2025, 09:33

Kriza e strehimit po përkeqësohet në Greqi - Banka Qendrore: Çmimet e banesave nuk po tregojnë shenja ngadalësimi

Nga Kristi Ceta

Kriza e strehimit po përkeqësohet në Greqi - Banka Qendrore:

Problemi i strehimit në Greqi po përkeqësohet ndjeshëm, njoftoi Banka e Greqisë në raportin e saj të fundit për stabilitetin financiar, duke theksuar se kostot e strehimit si përqindje e të ardhurave të disponueshme arritën në 35.5% në vitin 2024.

Kjo situatë vjen si rezultat i rritjes së çmimeve të banesave dhe qirave, së bashku me ngarkesën e lartë fiskale mbi pasuritë e paluajtshme dhe kostot e rritura të mirëmbajtjes. Banka e Greqisë paralajmëron për “fillimin e një grumbullimi të rreziqeve sistemike ciklike” për ekonominë, megjithëse pa shqetësime serioze për stabilitetin financiar.

Sipas të dhënave, huatë hipotekore arritën në 819 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke shënuar një zgjerim prej 38% krahasuar me një vit më parë, kur shifra përkatëse ishte 593 milionë euro. Një pjesë e madhe e kërkesës në tregun vendas lidhet me blerje që bëhen pa ndërmjetësimin e bankave, pra pa financim bankar. Megjithatë, edhe me këtë rritje, kreditë e reja për banesa, duke përfshirë programin “Shtëpia Ime II”, mbeten shumë më të ulëta krahasuar me periudhën para krizës financiare. Kjo ndodh pavarësisht faktit që nga 1 janari 2025 kriteret e kreditimit janë lehtësuar, duke lejuar kredi deri në 90% të vlerës së pronës kur bëhet fjalë për banesë të parë (dhe deri në 80% kur nuk është e tillë).

Sipas Bankës së Greqisë, tendenca e çmimeve në tregun e banesave nuk po tregon shenja ngadalësimi dhe pritet të vazhdojë rritjen edhe në të ardhmen. Kjo do të ndodhë për sa kohë që kërkesa nga tregu vendas dhe i huaj të mbetet e fortë, ndërsa oferta e banesave në dispozicion vazhdon të jetë e kufizuar.

Banka qendrore thotë se oferta e ulët e banesave në raport me kërkesën vjen sepse shumë prona përdoren për investime, disa janë tërhequr nga tregu për shkak të kredive me probleme dhe pritet të shiten në ankand. Gjithashtu, gjatë viteve 2010–2020, janë ndërtuar pak banesa të reja, duke penguar rritjen e stokut të ndërtesave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat