Analiza Postuar më 30 Mars 2026, 12:42

Kapitali i huaj “largohet” nga fabrikat, drejtohet te shërbimet/ Ndërmarrjet e huaja po zgjerohen më shumë në tregti, akomodim dhe shërbime të tjera

Nga Scan TV

Kapitali i huaj “largohet” nga fabrikat, drejtohet te

Struktura e ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta në Shqipëri po tregon gjithnjë e më qartë një zhvendosje nga aktivitetet prodhuese drejt shërbimeve. Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i këtyre ndërmarrjeve arriti në 7,007, por rritja nuk erdhi nga industria apo ndërtimi. Përkundrazi, aktivitetet prodhuese ranë nga 1,492 në 1,440 ndërmarrje, ndërsa prodhuesit e shërbimeve u rritën nga 5,446 në 5,567. Me fjalë të tjera, zgjerimi i kapitalit të huaj në Shqipëri po mbështetet gjithnjë e më shumë te tregtia, akomodimi, transporti, informacioni dhe shërbimet e tjera, dhe gjithnjë e më pak te sektorët klasikë të prodhimit.

Në total, tregtia mbetet fusha me numrin më të madh të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, me 1,494 biznese në 2024, por ajo shënoi një rënie të lehtë krahasuar me 2023. Ndërkohë, rritja më e fortë erdhi te “shërbime të tjera”, ku numri i ndërmarrjeve u rrit nga 2,812 në 2,895, si edhe te akomodimi dhe shërbimi ushqimor, nga 311 në 339, dhe transporti e magazinimi, nga 158 në 176. Në kahun tjetër, industria ra nga 916 në 891 ndërmarrje, ndërtimi nga 501 në 481, ndërsa bujqësia, pyjet dhe peshkimi mbetën një segment shumë i vogël, me vetëm 68 ndërmarrje në fund të vitit 2024.

Nëse analizojmë të dhënat sipas rajoneve, BE-ja vijon të mbajë peshën kryesore në numër ndërmarrjesh në shumicën e degëve, por jo më si motori i rritjes. Ballkani Perëndimor forcoi praninë sidomos në ndërtim, tregti dhe shërbime të tjera, ndërsa shtetet jashtë BE-së zgjeruan dukshëm aktivitetin në tregti, akomodim, informacion dhe shërbime. Pra, fotografia e vitit 2024 tregon një ekonomi ku kapitali i huaj po bëhet më pak europian në ritmin e zgjerimit dhe më i orientuar drejt sektorëve të shërbimeve, ndërsa pesha relative e aktiviteteve prodhuese po zbehet.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat