Analiza Postuar më 9 Prill 2026, 11:23

Biznesi i vogël mban ekonominë, por larg bankave/ BSH: Pengesat kryesore lidhen me nivelin e informalitetit dhe mungesën e kolateralit

Nga Xhorxhina Deda

Biznesi i vogël mban ekonominë, por larg bankave/ BSH: Pengesat

Bizneset mikro, të vogla dhe të mesme vijojnë të mbajnë peshën kryesore të ekonomisë shqiptare, por jo të financimit bankar. Nisur nga të dhënat ky segment përbën rreth 99.9% të numrit total të bizneseve, gjeneron rreth 78.2% të vlerës së shtuar në ekonomi dhe punëson rreth 82.5% të të punësuarve me pagë. Megjithatë, sipas Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2025, këto biznese përfitojnë më pak se gjysmën e kredisë bankare për biznesin, 46.8%, dhe vetëm 27% të kredisë totale për sektorin privat.

Me fjalë të tjera, segmenti që mban ekonominë reale të vendit mbetet më pak i financuar nga sistemi bankar sesa pesha që ka në prodhim dhe punësim. Pikërisht këtë hendek Banka e Shqipërisë e quan problem strukturor, duke nënvizuar se pas tij qëndrojnë disa pengesa të njohura si niveli i lartë i informalitetit, mungesa e kolateralit, mungesa e historikut të marrëdhënieve me bankat, si dhe njohuritë e kufizuara financiare. Sipas raportit, këta faktorë e bëjnë qasjen e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme në tregun financiar më të vështirë dhe më të kushtueshme.

Në thelb, raporti nxjerr në pah një nga paradokset më të forta të ekonomisë shqiptare, biznesi i vogël është baza e sipërmarrjes, por jo e huamarrjes bankare.

Pikërisht mbi këtë boshllëk Banka e Shqipërisë ngriti në fillim të vitit 2025 Programin e Financimit për Biznesin Mikro, të Vogël dhe të Mesëm. Sipas raportit, programi synon të ulë koston e kredive për këtë segment, t’i bëjë ato më të përballueshme dhe më të aksesueshme, të forcojë marrëdhënien mes bizneseve dhe sektorit bankar, si dhe të nxisë investimet dhe produktivitetin. Mekanizmi parashikon që Banka e Shqipërisë të ofrojë likuiditet afatgjatë për bankat tregtare, të cilat më pas do ta përdorin atë ekskluzivisht për kredi investimi për BVM-të, ndërsa rreziku i kredisë mbetet te vetë bankat.

Biznesi i vogël mban ekonominë, por larg bankave/ BSH: Pengesat

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat