Shqipëria Postuar më 9 Prill 2026, 10:54

Pensionet, kolonë e dytë apo e tretë? - Detajet e skemës së re që po hartohet nga qeveria

Nga Elisabeta Dosku

Pensionet, kolonë e dytë apo e tretë? - Detajet e skemës

“Jemi duke përgatitur një skemë të re pensionesh. Duke u dhënë mundësi njerëzve që duan të kursejnë më shumë për pensionet, për të dhënë një kontribut, të cilin shteti do ta shoqërojë me të njëjtën shumë. Pra, nëse dikush do të nxjerr nga paga një euro për pensionin, shteti do të vendosë një euro tjetër. Kështu do bëhen dy euro dhe, natyrisht, kjo do të jetë e kombinuar. Fondi i pensioneve do të fillojë të marrë formë dhe të garantojë qoftë ata që investojnë te fondi, por edhe lidhjen mes privatit dhe punonjësit”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Por cilat janë elementet që përmban skema e re e pensioneve, bëhet fjalë për kolonën e dytë të shumëkërkuar nga kompanitë private apo konsolidimin e kolonës së tretë?

Burime zyrtare nga Ministria e Ekonomisë, bëjnë me dije për SCAN TV, se skema e re lidhet me konsolidimin e shtyllës së tretë të pensioneve.  Shtylla e tretë e pensioneve në Shqipëri i referohet pensioneve private vullnetare dhe funksionoin në bazë të ligjit për fondet e pensioneve private vullnetare.

Aktualisht kolona e tretë është një skemë kursimi vullnetare ku individët depozitojnë para në një fond pensioni privat për të krijuar të ardhura shtesë kur dalin në pension. Nuk është e detyrueshme, administrimi bëhet nga shoqëri administruese të licencuara dhe mbikëqyret nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Por ndryshimet në skemë të iniciuara nga qeveria synojnë të prekin fillimisht punonjësit e administratës shtetërore, të cilët nxiten që të kontribuojnë një përqindje të caktuar nga paga në këtë skemë dhe pjesën tjetër e mbulon buxheti i shtetit.

Drafti është në hapat e parë edhe ende nuk është përcaktuar përqindja për secilën palë. Ndërsa për punonjësit në sektorin privat, po merren në konsideratë praktikat ndërkombëtare, që të nxiten të kontribuojnë në kolonën e tretë.

Ky kontribut lehtëson peshën e skemës publike të pensioneve nga njëra anë dhe nga ana tjetër garanton më shumë të ardhura dhe mirëqenie për qytetarët kur arrijnë në moshën e përfitimit nga kontributet.

Qeveria parashikon që skema të jetë gati deri në fund të këtij viti.

Si funksionon aktualisht kolona e tretë? Individët paguajnë kontribute periodike mujore ose sipas dëshirës. Paratë investohen nga fondi në instrumente financiare (bono thesari, obligacione, etj.). Kursimi rritet me kalimin e kohës nga kontributet dhe fitimet nga investimet. Kur individi arrin moshën e pensionit, mund të marrë pagesë mujore pensioni, ose tërheqje sipas skemës së fondit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat