Analiza Postuar më 10 Dhjetor 2025, 13:04

Bizneset shqiptare përballë epokës së IA/ BERZH thekson adaptim të ulët, por mund të kompensojë rënien e fuqisë punëtore

Nga Eldiona Serani

Bizneset shqiptare përballë epokës së IA/ BERZH thekson

Përdorimi i inteligjencës artificiale po përhapet me ritme të shpejta në ekonomitë e zhvilluara, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë vazhdojnë të mbeten pas, ndonëse tregojnë shenja të qarta përparimi.

Raporti më i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, “Transition Report 2025-26”, tregon se firmat në rajon po nisin të zbatojnë teknologji të reja të automatizimit dhe IA-së, por niveli i adoptimit është ende dukshëm më i ulët krahasuar me vendet e avancuara. Në këtë kontekst, Shqipëria është pjesë e një grupi vendesh që përballen me të njëjtat sfida teknologjike si mungesën e aftësive të mjaftueshme digjitale, mungesën e investimeve dhe kapacitetet ende të kufizuara të bizneseve për të aplikuar teknologji të gjeneratës së re.

Sipas raportit, firmat më të reja dhe ato të drejtuara nga menaxherë të rinj, me akses më të mirë në talent dhe software plotësues, janë më të prirura të jenë përditë­suesit e parë të teknologjive të IA-së.

Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përballet me një sfidë të madhe niveli i aftësive digjitale. Në raportin e BERZH theksohet se në disa vende të rajonit më pak se 40 për qind e të rinjve arrijnë një nivel të mjaftueshëm të përdorimit të teknologjisë digjitale, çka përkthehet në vështirësi për të përfituar shpejt nga inteligjenca artificiale. Ndërkohë, shumë punonjës të rinj dhe gra gjenden në pozicione pune me rrezik të lartë zëvendësimi nga IA, duke e bërë edhe më urgjente nevojën për investime në trajnime dhe rikualifikim profesional.

 Në disa skenarë të modelimit ekonomik, IA mund të kompensojë deri në gjysmën e humbjes së pritshme të produktivitetit që vjen si pasojë e plakjes demografike  një skenar i rëndësishëm për Shqipërinë, e cila po përballet me emigrim të lartë dhe tkurrje të fuqisë punëtore.

Në rajon shihet qartë se vendet e avancuara po ecin shumë më shpejt. Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Europian po adoptojnë teknologji të inteligjencës artificiale në shkallë të gjerë, duke krijuar një hendek të ri teknologjik që vendet e Ballkanit duhet ta adresojnë shpejt për të mos mbetur pas.

Inside News 10 Dhjetor Redaksia e lajmeve

Inside News

E Premte 20:00

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat