Europa Postuar më 10 Dhjetor 2025, 11:17

BE arrin marrëveshje për klimën - Synon uljen e emetimeve me 90% deri në vitin 2040

Nga Kristi Ceta

BE arrin marrëveshje për klimën - Synon uljen e emetimeve me 90%

Bashkimi Evropian ra dakord për vendosjen e një objektivi ligjërisht të detyrueshëm për të ulur emetimet e gazeve serrë me 90% deri në 2040, krahasuar me nivelet e vitit 1990.

Në praktikë, objektivi do të kërkojë një reduktim prej 85% të emetimeve nga industritë evropiane, si dhe pagesa për vendet në zhvillim përmes krediteve të karbonit, që do të mbulojnë pjesën tjetër.

Ky qëllim tejkalon premtimet e shumë prej ekonomive të mëdha, duke përfshirë Kinën. Megjithatë, ai mbeti më i ulët se rekomandimet e këshilltarëve shkencorë të BE-së për klimën dhe ishte më i dobët se plani origjinal i Brukselit, duke reflektuar mosmarrëveshje midis qeverive mbi shpejtësinë dhe koston e agjendës së tyre të gjelbër.

Blloku gjithashtu ra dakord të shqyrtojë në të ardhmen mundësinë e përdorimit të krediteve ndërkombëtare të karbonit për të arritur një ulje shtesë prej 5% të emetimeve deri në 2040, duke lehtësuar potencialisht përpjekjet e nevojshme brenda vendit.

Ky objektiv, i projektuar për të mbajtur Evropën në rrugën drejt premtimit për emetimet neto-zero deri në vitin 2050, përfaqëson një kompromis politik pas muajsh negociatash.

Disa vende si Polonia, Sllovakia dhe Hungaria kishin kundërshtuar ulje më të mëdha të dioksidit të karbonit, duke i konsideruar shumë të rënda për industritë që përballen me kosto të larta energjie, importe më të lira nga Kina dhe tarifa nga Shtetet e Bashkuara.

Anëtarë të tjerë të BE-së, duke përfshirë Holandën, Spanjën dhe Suedinë, përmendën përkeqësimin e fenomeneve ekstreme të motit dhe nevojën për të arritur Kinën në prodhimin e teknologjisë së gjelbër si arsye për të vendosur një objektiv të lartë.

Për të bindur kundërshtarët, BE vendosi të shtyjë hyrjen në fuqi të një takse të diskutueshme mbi karbonin për karburantet me një vit, deri në 2028.

Parlamenti dhe vendet e bllokut duhet ta miratojnë këtë objektiv që të bëhet ligj, një formalitet që zakonisht kalon përmes marrëveshjeve të paracaktuara.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat