Analiza Postuar më 3 Shtator 2025, 11:29

1 në 5 të rinj, as në punë as në shkollë/ Por, Shqipëria qëndron pas vendeve si Turqia, Greqia apo Italia për këtë normë

Nga Xhorxhina Deda

1 në 5 të rinj, as në punë as në shkollë/ Por,

Në vitin 2024, Shqipëria regjistroi një nivel prej 22.2% të të rinjve të moshës 15-29 vjeç që nuk janë të punësuar, nuk ndjekin shkollë dhe nuk marrin pjesë në ndonjë trajnim profesional. Ky tregues, i njohur si NEET (Not in Employment, Education or Training), është një sinjal i rëndësishëm për politikat rinore dhe zhvillimin social të vendit. Megjithatë, kur ky numër analizohet në kontekstin rajonal dhe europian, ai ofron një tablo tjetër, ku Shqipëria nuk është përjashtim, por pjesë e një sfide më të gjerë që prek shumë vende.

Në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, Shqipëria renditet në mes të tabelës. Ndërkohë, vende si Greqia me një normë prej 34.0% dhe Turqia me 35.4% përballen me nivele dukshëm më të larta. Shqipëria qëndron mbi mesataren e disa vendeve si Spanja me 20.1%, Franca me 20.8% dhe Serbia me 18.2%, por nën Italinë me 24.5%. Kjo tregon se, ndonëse sfida është reale, vendi nuk është në ekstremet e problemit dhe ka hapësirë të qartë për përmirësim.

Ajo që e bën këtë statistikë më të kuptueshme është shpërndarja e arsyeve që qëndrojnë pas saj. Nga të rinjtë shqiptarë që janë pjesë e grupit NEET, 44.9% janë të papunë dhe aktivisht kërkojnë punë. Ndërkohë, 14.9% janë të angazhuar me detyra familjare, një tregues i rëndësisë që ka struktura familjare në shoqërinë shqiptare. Vetëm 2.0% janë të dekurajuar, një përqindje që ka rënë me 0.3 pikë krahasuar me vitin e kaluar, një sinjal pozitiv që tregon për një rritje të besimit tek mundësitë e tregut të punës.

Në këtë kontekst, Shqipëria po përballet me një sfidë të përbashkët me shumë vende europiane, si të aktivizojë të rinjtë në mënyrë të qëndrueshme dhe produktive. Tradicionalisht, shumica e të rinjve në Shqipëri angazhohen në një marrëdhënie pune vetëm pasi kanë përfunduar arsimin e lartë, ndërsa kombinimi i studimeve me punësimin mbetet ende i rrallë. Megjithatë, vitet e fundit ky tranzicion drejt tregut të punës është bërë më i gjatë dhe më i pasigurt.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat