Shqipëria Postuar më 3 Shtator 2025, 11:16

“Zero kredi për çelje biznesi”/ BSH: Që prej gushtit 2023, nuk është marrë asnjë hua e re në bankë për këtë qëllim

Nga Ledina Elezi

“Zero kredi për çelje biznesi”/ BSH: Që prej

Kredia e bankave nuk po përdoret më për të financuar hapjen e bizneseve të reja. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, që prej gushtit të vitit 2023 nuk është marrë asnjë kredi e re në bankë për çeljen e një biznesi.

Kredia e dhënë nga bankat për ngritjen e një biznesi rezulton të jetë zero në dy vitet e fundit. Kjo prirje mund të ketë ardhur si rezultat i kërkesës së ulët nga qytetarët apo e bizneseve të mëdha që duan të hapin një filial të tyre, ose në rastin kur ka pasur kërkesë për të marrë një kredi të tillë, por qytetari ose biznesi që ka aplikuar nuk i ka përmbushur kriteret që kërkon banka, ndaj kjo e fundit nuk e ka miratuar.

Nga ana tjetër, stoku i kredisë ekzistuese, pra i atyre që kanë marrë kredi para gushtit 2023  dhe vijojnë ta shlyejnë çdo muaj rezulton të jetë vetëm 5.6 miliardë lekë, me një rritje të lehtë nga muaji qershor si rezultat i interesave të papaguara ose ristrukturimit të kredisë.

Shuma më e lartë e kredisë së marrë për hapjen e një biznesi është regjistruar në gusht 2023, me rreth 1 miliardë lekë konkretisht. Kjo lloj kredie ka qenë më e pranishme në 2022, për të shkuar drejt “zhdukjes” në vijim.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), vetëm në muajin korrik rezultojnë të jenë regjistruar 1,843 biznese të reja në të gjithë vendin, me një rritje prej 45% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Në 2024, u regjistruan 17,500 biznese me shpërndarje në të gjithë vendin, rreth 655 biznese më shumë se në vitin pararendës.

Burimi fillestar i kapitalit për hapjen e shumë bizneseve të vogla vijojnë të mbeten kursimet nga të ardhurat personale ose kredia nga institucionet financiare jobanka.

Normat e larta të interesit, tarifat, kriteret e huasë dhe nevoja për kolateral, ndonjëherë stepin shumë individë që të aplikojnë për këtë kredi në bankë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat