Bota Postuar më 3 Shtator 2025, 09:42

Kina, demonstrim force në Pekin/ Paradë ushtarake në praninë e Putin dhe Kim Jong Un

Nga Kristi Ceta

Kina, demonstrim force në Pekin/ Paradë ushtarake në praninë

Presidenti kinez Xi Jinping paralajmëroi se bota po përballet me një zgjedhje mes paqes dhe luftës, gjatë një parade ushtarake madhështore në Pekin, ku qëndronte përkrah liderit rus Vladimir Putin dhe atij koreano-verior Kim Jong Un.

Eventi, i organizuar për të shënuar 80-vjetorin e kapitullimit të Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore, u bojkotua nga shumica e liderëve perëndimorë. Putin dhe Kim, të cilët janë të izoluar nga Perëndimi për shkak të luftës në Ukrainë dhe programeve bërthamore të Koresë së Veriut, ishin të ftuarit e nderit.

Parada ishte një shfaqje e fuqisë ushtarake të Kinës dhe e ndikimit të saj diplomatik, në një kohë kur tensionet me Shtetet e Bashkuara janë rritur për shkak të tarifave dhe politikave të paqëndrueshme të Presidentit amerikan Donald Trump.

“Sot, njerëzimi përballet me një zgjedhje: paqe apo luftë, dialog apo përballje,” tha Xi përpara një turme prej më shumë se 50,000 spektatorësh në Sheshin Tiananmen, duke shtuar se populli kinez “qëndron fort në anën e duhur të historisë”.

Duke kaluar me një limuzinë të hapur, Xi inspektoi trupat dhe teknologjinë më të avancuar ushtarake, duke përfshirë raketat hipersonike, dronët nënujorë dhe një “ujk robotik” të armatosur. Helikopterë që mbanin pankarta të mëdha dhe avionë luftarakë fluturuan në formacione gjatë një spektakli 70-minutësh, që përfundoi me lëshimin e 80,000 zogjve të bardhë, simbol i paqes.

I ulur mes Putinit dhe Kim Jong Unit në tribunën e nderit, Xi u pa disa herë duke biseduar me të dy liderët ndërsa trupat dhe armatimet kalonin përpara tyre. Ishte hera e parë që të tre liderët shfaqeshin bashkë në publik.

“Ju lutem përcillni përshëndetjet e mia më të përzemërta për Vladimir Putin dhe Kim Jong Un, ndërkohë që komplotoni kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës,” shkroi Donald Trump në një postim drejtuar liderit kinez në platformën Truth Social, teksa parada po zhvillohej. Ai gjithashtu kujtoi rolin e SHBA-së në ndihmën që i dha Kinës për t’u çliruar nga Japonia gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, Trump u tha më herët gazetarëve se nuk e konsideronte paradën si një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, zëdhënësi kryesor i qeverisë japoneze nuk pranoi të komentonte mbi paradën, duke shtuar se dy ekonomitë më të mëdha të Azisë po ndërtojnë “marrëdhënie konstruktive”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat