Bota Postuar më 3 Shtator 2025, 11:13

Tarifat pengojnë rimëkëmbjen e industrisë së kimikateve/ Prodhuesit evropianë përballen me ulje të fitimeve dhe konkurrencë të ashpër

Nga Kristi Ceta

Tarifat pengojnë rimëkëmbjen e industrisë së

Prodhuesit evropianë të kimikateve ndodhen në një situatë të vështirë për shkak të tarifave amerikane prej të paktën 15% mbi importet nga Bashkimi Evropian. Këto masa po shkaktojnë vonesa në porosi dhe ulje të kërkesës në një sektor që po përballet ende me pasojat e krizës energjetike të vitit 2022.

Sektori i kimikateve, i katërti më i madh për eksport në BE pas makinerive, automobilave dhe industrisë farmaceutike, është goditur rëndë nga kostot e larta të prodhimit, për shkak të rritjes së çmimeve të gazit dhe energjisë pas pushtimit rus të Ukrainës. Kjo ka çuar në mbyllje vendesh pune dhe reduktim të kapaciteteve prodhuese në sektorin me vlerë 655 miliardë euro.

Tarifat e reja amerikane godasin drejtpërdrejt klientët kryesorë të sektorit kimik, si industria automobilistike, makineritë dhe mallrat konsumatore. Prodhuesit globalë të makinave kanë regjistruar humbje miliarda dollarëshe nga kjo luftë tregtare. Të dhënat nga LSEG për sektorin e kimikateve në Evropë parashikojnë një rënie prej 5% të fitimeve në tremujorin e tretë, pas një tkurrjeje të ndjeshme prej 22% në tremujorin e dytë.

Analistët e Metzler Research shprehen se tarifa, presioni mbi çmimet dhe konkurrenca e ashpër nga Azia krijojnë një “kombinim toksik”. Porosi të zakonshme që planifikoheshin 3–4 muaj më parë tani bëhen vetëm disa javë përpara dorëzimit. Disa kompani kanë reduktuar pritshmëritë për vitin e ardhshëm, për shkak të kursimeve të klientëve dhe luhatjeve në kursin e këmbimit.

Shqetësimi për konkurrencën e fortë nga Azia është real. Ekspertët paralajmërojnë se kimikatet më të lira nga Kina mund të përmbytin tregun evropian, nëse eksportet kineze nga SHBA drejtohen drejt Evropës, për shkak të tarifave të mundshme.

Bashkimi Evropian eksportoi kimikate me vlerë rreth 40 miliardë euro në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar, një rritje e lehtë nga 38 miliardë euro në vitin 2023. Industria kimike evropiane gjeneron rreth një të tretën e shitjeve totale jashtë vendit, ose afërsisht 224 miliardë euro.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat