Shqipëria Postuar më 7 Nëntor 2025, 15:24

Zyra e Komisionerit organizon panelin me temë “Mbrojtja e të Dhënave si Infrastrukturë e së Ardhmes Digjitale”

Nga SCAN TV

Zyra e Komisionerit organizon panelin me temë “Mbrojtja e të

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi sot, më 7 nëntor 2025, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar “Klik Ekspo Group 2025”, panelin e diskutimit me temë: “Mbrojtja e të Dhënave si Infrastrukturë e së Ardhmes Digjitale”.

Aktiviteti u mbajt në Pallatin e Kongreseve dhe mblodhi së bashku ekspertë nga institucionet publike, përfaqësues të biznesit dhe nga sektori bankar, për një diskutim të thelluar mbi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale në epokën e transformimit digjital.

Diskutimet u përqendruan në zbatimin e ligjit të ri nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, ndikimin e tij në sektorin publik e privat, si dhe rolin e mbrojtjes së të dhënave në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të sigurt digjitale.

Paneli u moderua nga Zëdhënësja e Zyrës së Komisionerit, znj. Joniada Koçi dhe solli diskutime ndërvepruese mes institucioneve publike dhe biznesit mbi standardet e reja të përputhshmërisë dhe transparencës.

Në panel morën pjesë:

·         Znj. Blerta Nerguti, Sekretare e Përgjithshme në Zyrën e Komisionerit;

·         Znj. Pjerina Mema, Drejtore e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave në Zyrën e Komisionerit.

·         Z. Dhimitër Shuli, Nënkryetar i Komitetit Digjital të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Drejtor Teknik pranë Beta Balkan Team;

·         Z. Arjan Ymeri, Drejtor i Agjencisë Startup Albania;

·         Znj. Elona Llaci, Drejtore e Strategjisë dhe Inovacionit në Raiffeisen Bank;

Pjesëmarrësit ndanë përvoja dhe praktika konkrete mbi mënyrat se si mbrojtja e të dhënave mund të shërbejë si bazë për inovacionin dhe zhvillimin ekonomik.

Znj. Blerta Nerguti nënvizoi rolin e Zyrës së Komisionerit në zbatimin e kuadrit të ri ligjor dhe përgatitjen e udhëzimeve praktike për institucionet dhe bizneset, ndërsa znj. Pjerina Mema theksoi rëndësinë e kulturës së përputhshmërisë dhe rritjen e ndërgjegjësimit të autoriteteve publike dhe sektorit privat, si pjesë e strategjisë institucionale për vitin e parë të zbatimit të ligjit.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e sektorit privat theksuan nevojën për bashkëpunim të ngushtë mes bizneseve dhe autoritetit mbikëqyrës, Zyrës së Komisionerit, në mënyrë që mbrojtja e të dhënave të kthehet në avantazh konkurrues dhe element të integruar në produktet dhe shërbimet digjitale.

Paneli konkludoi se inovacioni dhe mbrojtja e të dhënave nuk janë në kundërshtim, por ecin paralelisht në ndërtimin e një Shqipërie digjitale të qëndrueshme, të sigurt dhe të besueshme.

Ky aktivitet u zhvillua si pjesë e programit të gjerë të Klik Ekspo Group 2025, me temë “Dritare drejt së ardhmes – Shqipëria 2030”, ku Zyra e Komisionerit merr pjesë me një stendë të dedikuar informuese dhe ndërvepruese, duke promovuar një kulturë të re mbi mbrojtjen e të dhënave, transparencën dhe inovacionin digjital.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat