Shqipëria Postuar më 7 Nëntor 2025, 11:26

Rikonstruksion i rrjetit elektrik në Lushnjë e Gramsh - OSSH, investim 89 milionë lekë për përmirësimin e energjisë 

Nga Ernilda Luzi

Rikonstruksion i rrjetit elektrik në Lushnjë e Gramsh - OSSH, investim

Drejtoria Rajonale e OSSH Berat ka shpallur hapjen e garës për zhvillimin e rrjetit të tensionit të ulët dhe rikonstruksionin e kabinave në zonat: Zhamë, Thanasaj, Gramsh, Golem- Lushnjë. Fondi limit i përllogaritur është 89 milion e 665 mijë lekë.

Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, fideri i përzgjedhur për të investuar është fideri nr.2/6 kv- n/st Lushnjë- qendër 35/6kv, një fider i cili shtrihet në një zonë urbane dhe rurale. Ky fider është me humbje të larta të energjisë, pasi rrjeti është amortizuar dhe mbetet një rrezik i shtuar për abonentët. Një pjesë e tij është i ndërtuar nga vetë abonentët në kohën e tranzicionit, me shtylla jashtë të gjitha kushteve të sigurimit teknik, të cilat me anë të këtij investimi do të zëvendësohen me të reja.

Ky rrjet në kushtet aktuale nuk garanton sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe nuk mund të përballojë dot ngarkesën e shtuar, sidomos në disa zona ku vitet e fundit kanë marrë mjaft zhvillim dhe ngarkesat kanë ardhur gjithnjë e në rritje. Në fshatrat e kësaj zone janë ndërtuar një numër i madh biznesesh në sektorin bujqësor, si sera dhe fabrika të përpunimit të produkteve bujqësore.

Projekti do të përfshijë rikonstruksionin e kabinave dhe rrjetit të tensionit të ulët në 15 kabina të këtij fideri. Zona e Dushkut ka një shtrirje mjaft të madhe dhe përfshin edhe disa kabina të cilat në rrjetin shpërndarës furnizohen nga fidera të tjerë dhe për sistemimin e të gjithë zonës, ku është parashikuar që të ndërhyhet në disa kabina. Ndërtimi i rrjetit të tensionit të ulët do të garantojë një shpërndarje më të mirë të ngarkesës.

Referuar dokumentit, me anë të këtij investimi do të përmirësohet niveli i tensionit; do të rritet shkalla e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve, për faktin se rrjeti ekzistues 0.4 kV është me shumë difekte.

Po kështu, do të garantohet furnizim i pandërprerë me energji të abonentëve familjare dhe bizneseve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat