Shqipëria Postuar më 7 Nëntor 2025, 11:22

Borxhi publik në rritje, por më i lehtë për ekonominë - Në 2026 shtohet me 25 mld lekë. Niveli i tij në raport me PBB-në do të ulet në 53.6%

Nga Ledina Elezi

Borxhi publik në rritje, por më i lehtë për ekonominë -

Borxhi publik i Shqipërisë pritet të rritet me 25 miliardë lekë gjatë vitit 2026, sipas parashikimeve të publikuara në projektligjin për buxhetin e vitit të ardhshëm. Të dhënat zyrtare tregojnë se borxhi i përgjithshëm do të arrijë në 2.6 trilion lekë, krahasuar me 2.58 trilion në fillim të vitit 2025.

Rritja vjen si rezultat i shtimit të borxhit të brendshëm me 15 miliardë lekë, borxhit të jashtëm me 5 miliardë, si dhe instrumenteve të garantuara nga shteti me 5 miliardë të tjera. Por ndryshe nga sa mund të duket, kjo rritje nuk përkthehet automatikisht në një barrë më të rëndë për ekonominë.

Ministria e Financave thekson se, edhe pse borxhi rritet në vlerë absolute, ai do të ulet në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Kjo ndodh sepse ekonomia shqiptare parashikohet të rritet më shpejt se borxhi. Me fjalë të thjeshta, borxhi do të jetë më i madh në shifra, por do të përfaqësojë një pjesë më të vogël të ekonomisë.

Niveli i borxhit publik në raport me PBB në fund të vitit 2026 parashikohet të ulet në rreth 53.6%, ndërkohë që në fund të vitit 2025 planifikohet në nivelin prej 54.1%.

Ky raport është i rëndësishëm për të kuptuar nëse borxhi është i përballueshëm. Nëse ekonomia rritet, atëherë edhe një borxh më i lartë mund të menaxhohet më lehtë. Balancimi është i dobishëm vetëm nëse rritja ekonomike është reale dhe e qëndrueshme. Në të kundërt, borxhi mund të kthehet në presion për buxhetin dhe për financat publike.

Huamarrja e re në tregun e brendshëm pritet të realizohet kryesisht nëpërmjet titujve shtetërorë afatgjatë, ndërsa huamarrja e huaj parashikohet të realizohet kryesisht nëpërmjet disbursimit të huave që financojnë ecurinë e zbatimit të projekteve prioritare të qeverisë, si dhe disbursimit të mbështetjeve buxhetore procedurat dhe kushtet paraprake të të cilave mund të arrijnë të plotësohen gjatë vitit 2026.

Shqipëria 7 Nëntor Edel Strazimiri

Si është mbyllur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan ka pësuar një zbritje të vlerës këtë të premte duke e mbyllur javën negativisht teksa është blerë këtë mëngjes me 83 lekë dhe është shitur......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat