Shqipëria Postuar më 7 Gusht 2026, 10:32

Rruga Elbasan-Qafë Thanë, hapen 7.5 km e parë - Korridori VIII, ARRSH: Segmenti, i aksesueshëm me dy korsi në secilin drejtim

Nga Ola Mitre

Rruga Elbasan-Qafë Thanë, hapen 7.5 km e parë - Korridori VIII,

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar hapjen për qarkullim të 7.5 km të parë të projektit për zgjerimin e rrugës Elbasan – Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII. Segmenti i hapur shtrihet nga dalja e fshatit Labinot-Fushë deri rreth 500 metra pas fshatit Mirakë dhe tashmë është i aksesueshëm me dy korsi në secilin drejtim.

Sipas ARRSH-së, hapja e këtij segmenti pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin, të rrisë sigurinë rrugore, të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe të lehtësojë transportin e udhëtarëve dhe mallrave në një nga akset më të rëndësishme të vendit.

Investimi është pjesë e projektit të zgjerimit të rrugës Elbasan – Qafë Thanë, një prej segmenteve kyçe të Korridorit VIII, që synon të modernizojë lidhjen rrugore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe ta afrojë atë me standardet evropiane.

Deri më tani, qarkullimi në këtë pjesë të rrugës kryhej vetëm në njërën anë të aksit, ndërsa shpronësimet e miratuara nga qeveria mundësuan hapjen e plotë të trafikut në segmentin e parë.

Ndërkaq, më herët ARRSH ka bërë me dije se përfundimi i plotë i të 8 fazave të projektit synohet brenda dhjetorit 2027.

Paralelisht, gjatë këtij viti pritet të nisë edhe zbatimi i fazës së nëntë të projektit, ku përfshihet ndërtimi i tunelit të Hotolishtit. Ky investim do të zgjidhë problematikën e krijuar nga projekti fillestar, i cili e ndante fshatin në dy pjesë dhe u kundërshtua nga banorët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat