Shqipëria Postuar më 7 Gusht 2026, 10:25

Skemat, fermerët afat për dokumentacionin shtesë - Kush nuk plotëson kushtet skualifikohet nga përfitimi i fondeve

Nga Elisabeta Dosku

Skemat, fermerët afat për dokumentacionin shtesë - Kush nuk

Fermerët e shpallur fitues për të përfituar mbështetje financiare nga Skema Kombëtare 2026, duhet të paraqesin në afat dokumentet shtesë që u janë kërkuar.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural njofton përfituesit për masat 1 deri në 4, lista e të cilëve është bërë publike më 21 korrik, se kanë afat për plotësimin e kushteve deri në datën 10 gusht 2026.

Ndërsa fermerët  e shpallur fitues në listat e aplikimeve për masat 5 deri në 7 dhe masën 9, të publikuara më 24 korrik 2026, kanë afat për plotësimin e kushteve të përfitueshmërisë deri më datën 13 gusht 2026.

Aplikantët e shpallur fitues janë të detyruar të plotësojnë dokumentacionin përkatës dhe të përmbushin të gjitha kushtet e përfitueshmërisë brenda afateve të përcaktuara më sipër. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, bën me dije se dokumentacioni i paraqitur pas përfundimit të afatit nuk do të merret në shqyrtim. Aplikantët që nuk plotësojnë dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të përcaktuar do të skualifikohen nga skema mbështetëse.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 ka shënuar një interes të lartë nga fermerët në të gjithë vendin duke regjistruar gjithsej 42.728 aplikime, ndërsa vlera e kërkesave ka arritur në 7.2  miliardë lekë, nga 5,2 miliardë lekë që është fondi i vënë në dispozicion

Qarku i Fierit kryeson me numrin më të lartë të fermerëve aplikues, i ndjekur nga Korça, Elbasani dhe Vlora, qarqe që vijojnë të mbajnë peshën kryesore të prodhimit në vend.

Këtë vit Skema Kombëtare u organizua në 12 masa mbështetetëse të ndara në 9 masa direkte dhe 3 masa investimesh, duke ofruar mundësi financimi në sektorë të ndryshëm.  Masat direkte përfshijnë 1. Tufën bazë të gjedhit; 2. Tufën bazë të të imtave; 3.Bletarinë; 4. Dosat dhe paradosat; 5.Kontrollin biologjik; 6. Fermat organike;  7. Certifikimin Global G.A.P;  8. Mbështetjen për sipërfaqet e mbjella; 9.Ripopullimin e ujërave të brendshme.

Ndërsa 3 masat e investimeve, përfshijnë mbështetjen e fermerëve të rinj deri në 40 vjeç; ndërtimin dhe rikonstruksionin e staneve;  Mekanizimin e bujqësisë.

Këto masa synojnë të mbështesin fermerët në uljen e kostove të prodhimit, rritjen e cilësisë së produkteve, përmirësimin e standardeve të prodhimit dhe nxitjen e praktikave të qëndrueshme bujqësore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat