Shqipëria Postuar më 20 Maj 2026, 13:01

Zgjerohen kompetencat e Avokaturës së Shtetit - Drafti/ Do të përfaqësojë edhe interesat pasurore të bashkive. Shtohen ndihmësit

Nga Ola Mitre

Zgjerohen kompetencat e Avokaturës së Shtetit - Drafti/ Do të

Një projektligj për Avokaturën e Shtetit, parashikon zgjerim të kompetencave të institucionit, krijimin e një funksioni të ri për ndihmësit ligjorë dhe ndryshime në mënyrën e rekrutimit të avokatëve të shtetit.

Sipas draftit të nxjerrë për konsultim publik, institucioni do të marrë përsipër përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave pasurore të organeve të vetëqeverisjes vendore në të gjitha nivelet e gjykatave, pa autorizim të posaçëm nga bashkitë apo institucionet vendore. Në relacionin shoqërues argumentohet se ndryshimi synon të forcojë mbrojtjen juridike të pushtetit vendor, në një kohë kur bashkitë po përballen me rritje të mosmarrëveshjeve gjyqësore që lidhen me kontratat, investimet publike dhe çështjet pronësore.

Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e funksionit të “ndihmësit ligjor të avokatit të shtetit”, një rol i ri që synon të mbështesë avokatët e shtetit në analizimin e praktikës gjyqësore, përgatitjen e mbrojtjeve standarde dhe administrimin e çështjeve. Sipas relacionit shoqërues krijimi i këtij funksioni lidhet me ngarkesën e lartë të punës së avokatëve të shtetit, të cilët ndjekin mesatarisht 7 deri në 10 seanca gjyqësore në ditë.

Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me kriteret për emërimin e avokatëve të shtetit. Drafti parashikon që, përveç kandidatëve që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës, të mund të emërohen edhe persona me eksperiencë të gjatë profesionale si avokatë, pedagogë të së drejtës apo juristë në administratën shtetërore.

Ndërkaq, relacioni shoqërues argumenton se nevoja për forcimin e Avokaturës së Shtetit lidhet edhe me vlerat e larta financiare të çështjeve që përfaqëson institucioni. Sipas dokumentit, vetëm gjatë vitit 2025 Avokatura e Shtetit ka ndjekur procese gjyqësore me një vlerë prej rreth 8 mld lekësh, ose afro 84 mln euro, si edhe çështje që lidhen me mbi 12 mln metra katrorë pasuri të paluajtshme.

 

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat