Shqipëria Postuar më 3 Tetor 2025, 09:56

Tuneli i Llogarasë, 100-5,000 lekë për kalim - Caktohen tarifat, skema sipas 5 kategorive të automjeteve 

Nga Ola Mitre
Tuneli i Llogarasë, 100-5,000 lekë për kalim - Caktohen tarifat,

 

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ajo e Financave kanë miratuar tarifat që do të paguhen nga automjetet për kalimin në Tunelin e Llogarasë.

Skema e pagesës do të zbatohet me çmime të diferencuara sipas klasës së automjetit, teksa udhëzimi i ndan mjetet në 5 kategori të ndryshme.

Kështu, motoçikletat dhe mjetet e ngjashme me dy rrota do të paguajnë 100 lekë, ndërkohë që automjetet me dy boshte dhe lartësi deri në 1.30 metra, që janë makinat e pasagjerëve dhe automjetet e lehta të shpërndarjes do të paguajnë 250 lekë.

Mjetet me më shumë se dy boshte, por sërish me lartësi deri 1.30 metra, siç mund të jenë makinat e pasagjerëve me rimorkio ose karavan apo automjete të lehta shpërndarjeje me rimorkio do të paguajnë 500 lekë për kalimin në tunel.

Kategoria tjetër janë mjetet me dy ose më shumë boshte dhe lartësi mbi 1.30 metra, si: furgonë, minibusë, automjete të mesme, që sipas udhëzimit do paguajnë 1,000 lekë.

Ndërkohë tarifa e kalimit në rrugë për mjetet e rënda me tre ose më shumë boshte dhe lartësi mbi 1.30 metra, si: autobusë e kamionë me shumë rimorkio do paguajnë 5,000 lekë. Të gjitha tarifat përfshijnë edhe TVSH-në.

Nga pagesa përjashtohen automjetet e Policisë Rrugore, autoambulancat, zjarrfikëset, mjetet ushtarake/NATO, si edhe personat me status invalidi sipas ligjit përkatës, kur automjetet përdoren për nevoja personale.

Përjashtim gëzojnë edhe mjetet e personelit të ARRSH dhe Entit Kombëtar të Operimit Rrugor gjatë kryerjes së detyrave funksionale. Ndërkaq, kalimi në tunel është i ndaluar për mjetet që transportojnë mallra të rrezikshme.

Udhëzimi është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi, çka do të thotë se tashmë ka nisur aplikimi i pagesës për të gjithë drejtuesit e mjeteve që zgjedhin të kalojnë përmes tunelit. 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat