Shqipëria Postuar më 3 Tetor 2025, 09:47

Kreditë e pambrojtura nga kursi i këmbimit - Rreziku mbetet i lartë. Bizneset rrisin huamarrjen në euro, individët tërhiqen

Nga Ledina Elezi

Kreditë e pambrojtura nga kursi i këmbimit - Rreziku mbetet i

Huamarrja në valutë vazhdon të mbetet një fenomen i ndjeshëm në ekonominë shqiptare, sidomos për shkak të rrezikut që sjellin luhatjet në kursin e këmbimit. Kreditë e pambrojtura nga kursi i këmbimit janë ato hua të marra në një monedhë të huaj (zakonisht euro), nga subjekte që nuk kanë të ardhura në të njëjtën monedhë. Kjo do të thotë se në rast të zhvlerësimit të lekut, pagesa e kësteve bëhet më e shtrenjtë, duke rritur barrën financiare për huamarrësit.

Raporti i Stabilitetit Financiar i Bankës së Shqipërisë tregon se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, teprica e kredisë së pambrojtur është rritur me 4%, ndërsa krahasuar me një vit më parë rritja shkon në 6.5%. Ky zgjerim është nxitur kryesisht nga bizneset, të cilat i kanë shtuar kreditë e pambrojtura me 13.4%, ndërsa tek individët është vërejtur një tkurrje e lehtë prej 1%.

Struktura e huave tregon se 56% e kredive të pambrojtura janë të lidhura me pasuritë e paluajtshme, ndërsa rreth 14% me sektorin e tregtisë. Kredia për pasuri të paluajtshme u rrit me 3.4% në këtë kategori, duke reflektuar vijimësinë e kërkesës për blerje dhe zhvillime në tregun imobiliar.

Megjithëse ekspozimi mbetet i lartë, cilësia e portofolit është përmirësuar. Raporti i kredive me probleme për huatë e pambrojtura ka rënë nga 3.9% në 3.7%, ndërsa për kreditë për pasuri të paluajtshme ky tregues është rreth 4%.

Ky shihet si një zhvillim pozitiv për sistemin bankar, por rreziku nga kursi i këmbimit është i pranishëm, sidomos në kushtet e paqëndrueshmërisë së tregjeve ndërkombëtare. Banka e Shqipërisë ka bërë thirrje edhe më parë që huamarrësit të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin huatë në valutë nëse nuk kanë të ardhura në të njëjtën monedhë, pasi kjo i ekspozon ndaj goditjeve të papritura të kursit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat