Shqipëria Postuar më 14 Korrik 2025, 12:32

Tatimorët, në terren për sigurinë ushqimore - Rama paralajmëron tregtarët: Mishi dhe qumështi pa faturë, konfiskohen

Nga Hamit Yzeiraj

Tatimorët, në terren për sigurinë ushqimore - Rama

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se grupet e inspektimit janë në terren për të kryer kontrolle te tatimpaguesit që tregtojnë produkte ushqimore dhe blegtorale.

Qëllimi i këtij operacioni është formalizimi i sektorit, por mbi të gjitha garantimi i sigurisë ushqimore, në mbrojtje të shëndetit të konsumatorëve.

Duke folur për këtë aksion, Kryeministri Edi Rama, tha se kontrollet kanë nisur dhe përfshijnë edhe konfiskimin e produkteve si qumështi dhe bulmeti nëse tregtohen pa faturë.

 “Ka filluar procesi i kontrolleve dhe i konfiskimit të qumështit dhe të bulmetrave pa faturë. Pa siguri ushqimore, aq më tepër në këto temperatura të larta, ku largqoftë mund të ndodhin pasoja të rënda për shëndetin e konsumatorëve. Qumësht dhe bulmet i freskët pa faturë, dhe mish i freskët pa faturë, nuk do të lejohet. Kushdo që do ta tregtojë do ta humbasë mallin. Dhe ky është vetëm fillimi i një kontrolli më të ashpër për sigurinë ushqimore.”

Që më datë 7 korrik Administrata Tatimore ka njoftuar përmes platformës e-Filing rreth 12 mijë tatimpagues, që merren me tregtim produktesh bujqësore dhe blegtorale, për të marrë masat e duhura dhe të pajisin çdo mall me faturë të fiskalizuar. Në të kundërt, do të përballen me penalitete ligjore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat