Shqipëria Postuar më 18 Gusht 2025, 12:49

Si të përfitojmë nga strehimi social? - Katër grupe kryesore kriteresh. Nga kushtet e strehimit, te ato ekonomike

Nga Diamila Leka

Si të përfitojmë nga strehimi social? - Katër grupe kryesore

Teksa Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka publikuar dokumentin i cili ka në fokus programin e strehimit social, janë paraqitur edhe kriteret se si mund të bëhesh një përfitues i këtij programi.

Lista e plotë e kritereve të përfitimit ndahet në katër grupe. Si fillim, të jesh përfitues duhet të përmbushësh kriterin e kushteve të strehimit, nga ku në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi familjet që nuk disponojnë një banesë në pronësi, banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje, banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi, kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore, familjet ose individët që humbasin banesën e tyre, si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor, banojnë në banesa që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit, si rezultat i investimeve publike.

 Së dyti, kushtet familjare, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna, të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore, familjet me më shumë se katër fëmijë, bashkëshortët, mosha e përgjithshme e përbashkët e të cilëve arrin deri në 60 vjeç.

Së treti janë kushtet sociale, ku në bazë të të cilave përfitues me përparësi janë personat me aftësi të kufizuara, në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave, individët me statusin e jetimit, familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave të ish-pronarëve, emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit, familjet e policëve të rënë në detyrë, punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë dhe të repartit RENEA,  punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, viktimat e dhunës në familje dhe të trafikimit, anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian, të miturit në konflikt me ligjin, vajzat nëna etj. Dhe së katërti, kriter mbeten kushtet ekonomike, në bazë të të cilave përcaktohen familjet, sipas grupeve të të ardhurave të përcaktuara në ligj.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat