Europa Postuar më 18 Gusht 2025, 11:03

Valët e nxehtësisë “ekspozojnë” dobësitë e Evropës - Rritja e kërkesës sfidon qëndrueshmërinë e rrjetit energjetik të BE-së

Nga Kristi Ceta

Valët e nxehtësisë “ekspozojnë”

Këtë verë, Evropa është përfshirë sërish nga një seri valësh nxehtësie të forta. Vetëm javën e kaluar, rekorde temperaturash janë thyer në jugperëndim të Francës, Kroaci dhe Hungari, me disa rajone që kanë regjistruar temperatura mbi 40 °C. Ndërsa ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive, kërkesa për energji po rritet me shpejtësi ndërsa njerëzit përpiqen të freskohen.

Në të njëjtën kohë, temperaturat e larta po dëmtojnë furnizimin me energji elektrike, veçanërisht në centralet termike, ku energjia e nxehtësisë shndërrohet në energji elektrike. Këto impiante varen nga uji i lumenjve për ftohje. Sipas ekspertëve, valët e të nxehtit po ushtrojnë presion të madh mbi rrjetin elektrik të Evropës. Ata thonë se sistemet energjetike kanë nevojë urgjente për përmirësim, duke rritur fleksibilitetin dhe duke kaluar drejt energjive të rinovueshme, për të shmangur varësinë nga burimet fosile që ngrohin planetin. Qeveritë përballen gjithashtu me sfidën e përballimit të valëve të nxehtësisë pa shkaktuar ndërprerje të energjisë apo rritje të emetimeve ndotëse.

Në Spanjë, përdorimi i energjisë elektrike u rrit me rreth 14%. Gjermania dhe Franca shënuan rritje të kërkesës gjatë orëve të pikut, duke vendosur operatorët e rrjetit në gatishmëri të lartë. Temperaturat ekstreme të verës po bëhen me shpejtësi norma e re, dhe së bashku me to, ajri i kondicionuar po shndërrohet në një aparaturë gjithnjë e më të zakonshme. Numri i kondicionerëve në BE pritet të rritet nga më pak se 7 milionë në vitin 1990, në mbi 100 milionë deri në vitin 2030.

Megjithëse kjo është një rritje dramatike, ajri i kondicionuar ende përbën vetëm rreth 0.6% të konsumit të energjisë në familjet evropiane. Të dhënat tregojnë se Italia është përdoruesja më e madhe e ajrit të kondicionuar në bllok, duke përfshirë një të tretën e konsumit total për këtë qëllim, edhe pse ka disa nga çmimet më të larta të energjisë në Evropë. Pas Italisë renditet Greqia, e ndjekur nga Franca, Spanja dhe Gjermania.

Valët e nxehtësisë nuk nxisin vetëm kërkesën për energji; ato godasin edhe prodhimin. Disa vende evropiane janë detyruar të reduktojnë ose të ndalojnë prodhimin e energjisë elektrike nga centralet bërthamore për shkak të temperaturave ekstreme. Nga 28 qershori deri më 2 korrik, 17 nga 18 centralet bërthamore në Francë iu nënshtruan reduktimeve të kapacitetit, ndërsa disa prej tyre u mbyllën plotësisht.

Megjithatë, qershori 2025 shënoi prodhimin më të madh të energjisë diellore në historinë e BE-së për një muaj të vetëm, duke përbërë mbi 40% të energjisë elektrike totale të prodhuar në Holandë dhe 35% në Greqi. Temperaturat ekstreme nënvizojnë rolin në rritje të energjisë diellore në përballimin e valëve të të nxehtit, por gjithashtu tregojnë se burimet e rinovueshme nuk janë e vetmja zgjidhje, nëse nuk mbështeten nga teknologjitë e ruajtjes së energjisë dhe rrjete më të zhvilluara.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat