Rajoni Postuar më 18 Gusht 2025, 10:28

Greqia forcon lidhjet energjetike me rajonin - Planifikon tre projekte të reja me Shqipërinë, Turqinë dhe Italinë

Nga Kristi Ceta

Greqia forcon lidhjet energjetike me rajonin - Planifikon tre projekte të

Greqia synon të forcojë lidhjet me sistemet elektrike të vendeve fqinje, falë operatorit grek të transmetimit të energjisë IPTO. Kjo është pjesë e një strategjie për të eksportuar energjinë e tepërt nga burimet e rinovueshme, si dhe përmbushjen e objektivit të Bashkimit Evropian për një nivel minimal transferimi energjie prej 15% për çdo vend anëtar deri në vitin 2030.

Kapaciteti për transferimin e energjisë nga dhe drejt Greqisë bazohet kryesisht në linjat e ndërkoneksionit me rrymë alternative 400 kV në kufijtë veriorë të vendit (me Shqipërinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë), si dhe në linjën nënujore 400 kV që e lidh me Italinë. Përveç projekteve madhore ndërkombëtare, si Greqi–Qipro–Izrael dhe Greqi–Egjipt, IPTO ka përfshirë në planin dhjetëvjeçar të zhvillimit energjetik 2025–2034 tre projekte të reja të rëndësishme ndërlidhjeje.

Këto përfshijnë lidhjen e dytë me Turqinë, lidhjen e dytë me Shqipërinë dhe një kabllo të re nënujore me Italinë. Paralelisht, në bashkëpunim me operatorin e Maqedonisë së Veriut, po shqyrtohet përmirësimi i linjës ekzistuese mes dy vendeve.

Ndërlidhja e re me Turqinë do të realizohet përmes një linje të re midis nënstacionit Nea Santa në Greqi dhe atij Babaeski në Turqi. Projekti do të ketë një kapacitet nominal prej 2,000 MVA dhe një gjatësi prej rreth 130 km, 70 km në territorin grek dhe 60 km në atë turk, duke ndjekur një rrugë paralele me lidhjen ekzistuese.

Ndërkohë, lidhja e dytë me Shqipërinë do të nisë nga nënstacioni Arachthos në Greqi dhe do të përfundojë në termocentralin e Fierit. Ajo do të ketë të njëjtin kapacitet nominal prej 2,000 MVA dhe një gjatësi totale prej rreth 170 km, me 45 km që kalojnë në territorin grek dhe 125 km në atë shqiptar.

Për sa i përket interkoneksionit të ri me Italinë, IPTO dhe operatori italian Terna propozojnë ndërtimin e një kablloje të re nënujore me kapacitet prej 1,000 MW. Megjithatë, ky projekt është përballur me skepticizëm nga Autoriteti Italian i Energjisë, që ka shprehur dyshime mbi përfitimet që do të sillte për Italinë, duke i vlerësuar ato si të kufizuara.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat