Bota Postuar më 16 Gusht 2025, 11:14

“Boshatiset” Zelanda e Re - Largimi i shtetasve, në nivelin më të lartë që nga viti 2012

Nga Kristi Ceta

“Boshatiset” Zelanda e Re - Largimi i shtetasve, në nivelin

Zelanda e Re ka regjistruar numrin më të lartë të largimeve të shtetasve që nga viti 2012, ndërsa ekonomia e vendit po ngadalësohet. Gjatë 12 muajve deri në qershor, 71,851 qytetarë u larguan nga vendi, shifra më e lartë në 13 vitet e fundit. Vetëm 25,353 shtetas u rikthyen, duke rezultuar në një eksod neto prej 46,497 personash.

Shumë qytetarë kanë zgjedhur të hedhin sytë jashtë vendit, veçanërisht drejt Australisë, për vende pune më të paguara, ndërsa në vend ekonomia është dobësuar dhe papunësia po vjen në rritje.

Edhe punëtorët e huaj po tregojnë gjithnjë e më pak interes për të ardhur në Zelandën e Re, pasi punët janë të pakta, gjë që ka çuar në një rënie të vazhdueshme të imigracionit neto vjetor në vetëm 13,702, niveli më i ulët që nga nëntori 2022. Kjo shifër është larg kulmit të arritur në tetor 2023, kur imigracioni neto vjetor kishte arritur në 135,529.

Edhe pse largimet e qytetarëve janë rritur, është pikërisht rënia e ndjeshme e mbërritjeve ajo që ka ndikuar më shumë në uljen e përgjithshme të imigracionit neto. Ekonomia e vendit po has vështirësi për t’u rikuperuar nga një recesion i thellë në vitin 2024, ndërsa papunësia po rritet dhe bizneset kanë frenuar investimet dhe punësimet.

Disa ekonomistë lokalë parashikojnë se nuk ka pasur zgjerim ekonomik gjatë tremujorit që përfundoi në qershor, ndërsa Banka Qendrore e Zelandës së Re parashikon një rritje mesatare vjetore prej vetëm 0.7% për vitin 2025.

Sipas agjencisë së statistikave, rreth 59% e të larguarve u drejtuan për në Australi, bazuar në të dhënat e vitit të kaluar. Largimet janë më të përqendruara te grupmoshat e reja, me 38% të tyre që ishin midis moshave 18 dhe 30 vjeç.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat