Shqipëria Postuar më 22 Gusht 2025, 11:26

Shqiptarët po preferojnë shërbimet bankare nga shtëpia - BSH: Në pesë muaj, 21% më shumë transaksione me home banking se në 2024

Nga Ledina Elezi

Shqiptarët po preferojnë shërbimet bankare nga shtëpia -

Shqiptarët po përdorin më shumë shërbime bankare nga shtëpia, përmes faqeve online ose aplikacioneve të bankave, duke kursyer kohë dhe shmangur radhën në degët fizike të tyre.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në pesë muajt e parë të vitit, numri i transaksioneve të realizuara me home banking arriti në 4.3 milionë, një rritje me 21% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2024.

Nga ana tjetër, edhe shuma e transaksioneve kapi një vlerë rekord prej 1 miliardë lekësh, duke u rritur me 14.7% krahasuar me janar-maj 2024. Kjo do të thotë se shqiptarët jo vetëm që po kryejnë më shumë transaksione në numër, por edhe po transferojnë më shumë para.

Viti 2025 nisi shumë pozitivisht për home banking, por me disa luhatje në muaj të caktuar.  Maji shënoi një rënie prej 4% në numër transaksionesh dhe 3.1% në vlerën e tyre.

Home banking, i quajtur ndryshe si bankingu në shtëpi, përdoret për të kryer transferta parash, paguar taksat, faturat e energjisë elektrike, ujit, të telefonit, gjobat e policisë, pagesat e kartës së kreditit dhe të tjera, pa qenë nevoja e paraqitjes në degët fizike të bankave.

Klientët e bankave mund të kenë qasje në këto shërbime bankare kudo që ndodhen për sa kohë që kanë internetin. Më parë, klientët duhet të paraqiteshin vetëm fizikisht për të kryer qoftë edhe shërbime të thjeshta bankare, por tani, falë digjitalizimit, shumë shërbime mund të kryhen përmes internetit edhe jashtë orareve zyrtare të bankave.

Rritja e transaksioneve që kryhen përmes aplikacioneve ose faqeve online të bankave është një tregues i digjitalizimit të shërbimeve bankare, ndërsa rrit edhe më tepër përfshirjen financiare të qytetarëve, si dhe transparencën e veprimeve bankare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat