Europa Postuar më 22 Gusht 2025, 10:45

Evropa motivon vizitorët e “gjelbër” - Qytetet ofrojnë shpërblime inovatore për të nxitur turizmin e qëndrueshëm

Nga Kristi Ceta

Evropa motivon vizitorët e “gjelbër” - Qytetet

Dhjetëra destinacione të njohura në Evropë kanë vendosur gjoba, taksa dhe kufizime të tjera për udhëtarët në muajt e fundit, me synimin për të luftuar mbiturizmin. Megjithatë, vitin e kaluar, Kopenhageni ndoqi një qasje krejt ndryshe. Kryeqyteti i Danimarkës nisi të shpërblejë turistët që tregojnë sjellje të përgjegjshme përmes iniciativës “CopenPay”. Qëllimi kryesor i kësaj skeme është t’u tregojë udhëtarëve se veprimet klimatike mund të jenë shumë më të lehta se sa mendojnë, duke promovuar turizmin e qëndrueshëm.

Shpërblimet përfshijnë qira falas për biçikletat, ture me varkë dhe dreka pa pagesë për ata që ndihmojnë në kopshtet komunale, mbledhin mbeturina ose përdorin transportin publik. Pas nismës së Kopenhagenit, qytete të tjera evropiane si Berlini, Helsinki dhe Bremeni kanë shfaqur interes për të provuar të njëjtin model.

Berlini po konsideron të nisë vitin e ardhshëm një iniciativë që mund të shpërblejë udhëtarët që vijnë me tren, ata që qëndrojnë më gjatë, hanë ushqime me bazë bimore dhe marrin pjesë në aktivitete ekologjike. Përfitimet do të jenë zbritje për hyrje në muze, si dhe ushqim falas apo qira biçikletash pa pagesë. Qyteti ka sugjeruar se do të përdorë aplikacione në telefon dhe sisteme vlerësimi me pikë për të thjeshtuar shpërblimet dhe procesin e përfshirjes, së bashku me partnerë lokalë.

Helsinki po konsideron gjithashtu të prezantojë versionin e vet të një skeme shpërblimi, me fokus të veçantë te turizmi rigjenerues dhe projektet për restaurimin e Detit Baltik. Skema do të inkurajojë gjithashtu përdorimin e transportit publik dhe biçikletës, me shpërblime si drekë falas dhe ture me çmim të reduktuar, ndër të tjera.

Destinacione të njohura për ski në Alpe, si Via Lattea në Itali dhe Les Gets‑Morzine në Francë, po ofrojnë ulje deri në 25% për vizitorët që udhëtojnë me tren këtë vit.

Shpërblimi i turistëve për sjellje të përgjegjshme nuk është koncept i ri. Qytete si Londra kanë pasur skema të ngjashme për vite të tëra. Për shembull, në korrik, vizitorët dhe banorët në Londër janë shpërblyer me një pije falas për pjesëmarrjen në pastrimet e mbetjeve plastike. Në Zvicër, udhëtarët që zgjedhin të eksplorojnë vendin me transport publik përfitojnë hyrje falas në mbi 500 muze dhe deri në 50% ulje në shumicën e teleferikëve malorë.

 

Live TV

Të fundit
Shqipëria 22 Gusht Edel Strazimiri

Si është mbyllur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka mbyllur këtë javë pozitivisht duke rikuperuar pikë gjatë tërë kësaj periudhe teksa është blerë mëngjesin e sotëm me 82.9 lekë dhe është......

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Shqipëria 22 Gusht Edel Strazimiri

Si është mbyllur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka mbyllur këtë javë pozitivisht duke rikuperuar pikë gjatë tërë kësaj periudhe teksa është blerë mëngjesin e sotëm me 82.9 lekë dhe është......