Shqipëria Postuar më 3 Shtator 2026, 13:38

Shqiptarët kalojnë më shumë kohë online - AKEP: Rritet konsumi i internetit dhe telefonatave. SMS-të “po dalin nga moda”

Nga Ledina Elezi

Shqiptarët kalojnë më shumë kohë online - AKEP: Rritet

Shqiptarët po përdorin gjithnjë e më shumë internetin dhe telefonatat, ndërsa SMS-të po humbasin terren. Të dhënat për tregun e komunikimeve elektronike tregojnë se gjatë tremujorit të dytë të vitit, konsumi i internetit nga rrjetet celulare u rrit ndjeshëm, ndërsa edhe koha e kaluar në telefon është zgjeruar.

Në tre muajt e dytë të vitit, trafiku i internetit në rrjetet celulare arriti në rreth 77 milionë GB, me një rritje prej 13% krahasuar me tremujorin e parë. Pra, në vetëm një tremujor, përdorimi i të dhënave celulare u shtua me rreth 9 milionë GB.

Edhe telefonatat vijojnë të kenë një peshë të rëndësishme. Në T2, shqiptarët gjeneruan rreth 975 milionë minuta telefonata, ose rreth 6.4% më shumë se në tremujorin paraardhës.

Nëse shohim të gjithë gjysmën e parë të vitit, vetëm trafiku i internetit celular arrin në rreth 145 milionë GB, ndërsa telefonatat afrohen në 1.9 miliardë minuta.

Por ndërsa interneti dhe telefonatat rriten, SMS-të po përdoren gjithnjë e më pak. Të dhënat për tremujorin e parë tregojnë se një përdorues aktiv konsumonte mesatarisht rreth 11 SMS në muaj, por ky konsum ishte në rënie me rreth 12% krahasuar me një vit më parë. Kjo tregon qartë se komunikimi po zhvendoset drejt internetit dhe aplikacioneve të mesazheve.

Ndryshime ka edhe në vetë tregun e pajtimtarëve. Në fund të tremujorit të dytë rezultojnë rreth 2.97 milionë pajtimtarë të shërbimeve celulare, rreth 1% më pak se në tremujorin e parë. Megjithatë, numri i përdoruesve aktivë u rrit në rreth 2.49 milionë, ndërsa përdoruesit aktivë të telefonisë celulare arritën në rreth 2.47 milionë.

Pra, edhe pse numri i kartave SIM dhe pajtimtarëve nuk po rritet, përdorimi i tyre po bëhet më intensiv. Shqiptarët po përdorin më shumë internet në telefon, po flasin më gjatë dhe po i drejtohen gjithnjë e më pak SMS-ve për komunikim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat