Analiza Postuar më 3 Shtator 2026, 12:17

Pagat shtyjnë lart kostot e ndërtimit, materialet bien/ Presioni kryesor vjen nga fuqia punëtore, ndërsa tregu mbetet aktiv

Nga Scan TV

Pagat shtyjnë lart kostot e ndërtimit, materialet bien/ Presioni

Kostot e ndërtimit të banesave kanë vijuar të rriten edhe në tremujorin e dytë të vitit 2026, por presioni kryesor këtë herë nuk ka ardhur nga materialet. Të dhënat e INSTAT tregojnë se shpenzimet për paga janë rritur me ritmin më të lartë, ndërsa çmimet e materialeve të ndërtimit kanë shënuar rënie në krahasim me një vit më parë.

Sipas INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim për Banesa arriti në 114.7, ndërsa në bazë vjetore u rrit me 1.1%, e njëjta normë rritjeje si në tremujorin e dytë të vitit 2025.

Rritjen më të fortë e shënuan shpenzimet për paga, me 4.3%, të ndjekura nga kostot e tjera me 3%, transporti me 1.5% dhe makineritë me 1.2%. Ndërkohë, shpenzimet për materiale ranë me 0.6%, ndërsa vetëm materialet e ndërtimit u liruan me 0.9%.

Edhe krahasuar me tremujorin e parë të vitit, kostot u rritën me 0.3%. Edhe në këtë krahasim, pagat dhanë kontributin më të madh, me një rritje prej 1.1%.

Rritja e kostove vjen në një kohë kur aktiviteti i parashikuar në sektor mbetet i lartë. Në tremujorin e dytë u miratuan 460 leje për ndërtesa të reja, 30.7% më shumë se një vit më parë, ndërsa sipërfaqja e parashikuar për ndërtim u rrit me 10.3%, në 307.127 metra katrorë.

Pjesa më e madhe e lejeve, 331 gjithsej, i përkasin ndërtimeve për banim, me një sipërfaqe prej 183.202 metrash katrorë. Megjithatë, vlera e përafërt e projekteve të miratuara, përfshirë edhe punimet inxhinierike, ra me 13.2%, në rreth 16 miliardë lekë.

Të dhënat tregojnë se, ndryshe nga periudhat kur materialet ushtronin presionin kryesor mbi kostot, aktualisht janë pagat që po e shtyjnë lart faturën e ndërtimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat