Shqipëria Postuar më 3 Shtator 2026, 11:14

Pagesat me kartë, rregulla të reja për tarifat e këmbimit - Klienti duhet të informohet paraprakisht mbi kursin dhe koston e transaksionit

Nga Ledina Elezi

Pagesat me kartë, rregulla të reja për tarifat e këmbimit -

Banka e Shqipërisë po vendos rregulla më të qarta për mënyrën se si qytetarët informohen për kostot e këmbimit valutor gjatë pagesave me kartë apo transfertave online. Këshilli Mbikëqyrës miratoi ndryshime në rregulloren për krahasueshmërinë e tarifave të llogarive të pagesave, duke vendosur detyrime të reja për bankat dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave.

Ndryshimet prekin kryesisht pagesat me kartë në ATM dhe POS, por edhe transfertat e kreditit të kryera online.

Një nga risitë është që, kur gjatë një pagese me kartë aplikohet këmbim valutor, klienti duhet të marrë informacion të qartë për kursin e përdorur dhe diferencën e tij nga kursi i fundit i publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Kjo diferencë do të shprehet në përqindje, përmes të ashtuquajturit “mark-up”, dhe duhet t’i komunikohet klientit përpara se të kryejë transaksionin.

Rregullat e reja synojnë që qytetari të mos përballet vetëm me një shumë përfundimtare në ekran, por të ketë mundësi të kuptojë se sa po i kushton konkretisht këmbimi i monedhës.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në rastet kur përdoren karta të lëshuara në një monedhë tjetër, për shembull në euro, ndërsa pagesa ose tërheqja kryhet në lekë.

Në ATM apo në pikën e shitjes, klienti duhet të informohet gjithashtu për shumën që do të marrë përfituesi dhe shumën që do të paguajë vetë, sipas monedhës përkatëse. Para konfirmimit të transaksionit, duhet t’i bëhet e qartë edhe mundësia për të zgjedhur nëse këmbimi do të kryhet nga operatori i ATM-së apo nga ofruesi i shërbimit të pagesës së klientit.

Ndryshimet vijnë në një kohë kur përdorimi i kartave është zgjeruar dhe transaksionet me karta të huaja janë të zakonshme, veçanërisht në sektorët që lidhen me turizmin. Për përdoruesin, çështja kryesore mbetet sa para i dalin realisht nga llogaria dhe sa kushton këmbimi i monedhës.

Rregullorja vendos kërkesa të reja edhe për transfertat e kreditit online.

Kur një transfertë përfshin këmbim valutor, banka ose ofruesi i shërbimit të pagesës duhet t’i tregojë klientit, përpara se ai të japë konfirmimin, tarifën e këmbimit, shumën totale që do të debitohet nga llogaria dhe shumën që do t’i mbërrijë përfituesit.

Pra, qëllimi është që kostoja e një pagese apo transferte të mos zbulohet vetëm pasi transaksioni të jetë kryer, por të jetë e dukshme për klientin që në momentin kur ai vendos nëse do ta kryejë apo jo.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat