Bota Postuar më 3 Shtator 2026, 10:22

Nju Jorku i thotë “jo” IA-së në shkolla - Ndalimi njëvjeçar prek rreth 600 mijë nxënës

Nga Edel Strazimiri

Nju Jorku i thotë “jo” IA-së në shkolla - Ndalimi

Shkollat publike të qytetit të Nju Jorkut do t’u ndalojnë përkohësisht nxënësve deri në klasën e tetë përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale gjeneruese gjatë vitit të ardhshëm shkollor.

Vendimi, i njoftuar nga kryebashkiaku i qytetit, konsiderohet nga autoritetet si ndalimi më i gjerë i këtij lloji në Shtetet e Bashkuara. Masa prek rreth 600 mijë nxënës dhe synon t’u japë institucioneve kohë për të studiuar mënyrën se si fëmijët përdorin teknologjinë.

Kjo lloj politike do të kufizojë përdorimin e rreth 40 mjeteve edukative të IA-së që aktualisht përdoren në klasa. Chatbot-et që shërbejnë si shoqërues virtualë do të ndalohen në të gjitha nivelet.

Nxënësit e shkollave të mesme nuk do t’i nënshtrohen një ndalimi të plotë. Për ta do të organizohen dy herë në vit kurse për aftësitë dhe njohuritë mbi inteligjencën artificiale, ndërsa disa prej tyre do të mund të përdorin platforma të përzgjedhura nën mbikëqyrjen e mësuesve.

Mësuesit do të vijojnë të kenë mundësi të përdorin IA-në për planifikimin e mësimeve dhe detyrat administrative. Plani i Nju Jorkut shkon përtej IA-së dhe parashikon edhe kufizime të rekomanduara për kohën para ekranit.

Për nxënësit e klasave të treta deri në të pesta rekomandohet një maksimum prej 30 minutash në ditë, ndërsa për klasat e gjashta deri në të teta limiti i propozuar është 45 minuta. Qyteti do të kryejë gjithashtu një rishikim të mjeteve të teknologjisë arsimore, me synim eliminimin e atyre që konsiderohen jo thelbësore për procesin mësimor.

Nju Jorku nuk është i vetmi qytet që po vendos kufizime. Distrikti shkollor i Los Anxhelosit, i dyti më i madh në SHBA, ka bllokuar përkohësisht mjetet gjeneruese të AI-së në pajisjet e nxënësve, ndërsa po harton një politikë të re për përdorimin e teknologjisë.

Të paktën 37 shtete amerikane kanë miratuar tashmë një formë udhëzimi për përdorimin e inteligjencës artificiale në shkolla. Megjithatë, në SHBA ende nuk ekziston një standard i unifikuar kombëtar për mënyrën se si duhet mësuar dhe përdorur inteligjenca artificiale në sistemin arsimor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat