Shqipëria Postuar më 21 Gusht 2026, 12:00

Sa mjaltë prodhon Shqipëria? - 58 mijë koshere më shumë, rritet sasia në treg

Nga Elisabeta Dosku

Sa mjaltë prodhon Shqipëria? - 58 mijë koshere më

Prodhimi i mjaltit në vend po rritet ndjeshëm nga viti në vit, duke dhënë shenjat e një sektori që po zgjerohet,  ku efekt kanë dhënë edhe masat e mbështetjes nga Skema Kombëtare. 

Sipas të dhënave nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, gjatë vitit 2025,  rezulton që janë prodhuar 6,299 ton mjaltë nga 5940 ton mjaltë të prodhuar në vitin 2024. E thënë ndryshe, prodhimi është rritur me 359 ton apo rreth 6 % më shumë.

Po ashtu rritje ka pasur edhe numri i koshereve, i cili regjistrohet në 645 mijë koshere bletësh në të gjithë vendin në 2025-ës, nga 587 mijë koshere që rezultonin një vit më parë, me një zgjerim prej 58 mijë kosheresh më shumë.

Gjatë vitit që lamë pas janë mbështetur 4,135 përfitues nga Skema Kombëtare 2025, e cila parashikonte financim prej 1 mijë lekë për zgjua për pragun nga 50-150 zgjoje bletësh; 50 % financim mbi tavanin 150 zgjoje dhe 100 % financim për çdo anëtar nëse grupohen në bashkim operatorësh me minimum 7 anëtarë. 

Ndërsa përgjatë këtij viti ku skema ka ndryshuar, u regjistruan 7016 aplikime nga bletarët në të gjithë Shqipërinë, dhe pse ende nuk është shpallur lista përfundimtare e përfituesve.

Për mbarështimin e bletarisë, mbështetja përmes Skemës Kombëtare 2026,  është dyfishuar dhe është përgjysmuar kufiri i zgjojeve që duhet të ketë një fermer. Konkretisht dhe do të jepen 2 mijë lekë për zgjua, për fermer/aplikant, me jo më pak se 25 zgjoje. Për pjesën mbi 150 zgjoje, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Shoqëri e Bashkëpunimit Bujqësor”.

Në të gjithë vendin janë rreth 12 000 bletërritës në të gjithë vendin, prej të cilëve rreth 3 mijë kanë mbi 50 koshere.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat