Shqipëria Postuar më 21 Gusht 2026, 10:39

Nëntë vatra zjarri aktive në vend – MM: Situata më problematike në Gojan–Gjegjan

Nga Edel Strazimiri

Nëntë vatra zjarri aktive në vend – MM: Situata më

Njëzet vatra zjarri janë evidentuar në territorin e vendit gjatë 24 orëve të fundit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 9 prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa një vatër është nën monitorim.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 235 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse, në mbështetje të të cilave janë vendosur 140 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Situata më e vështirë paraqitet në Gojan–Gjegjan, Pukë, ku era e fortë dhe terreni i thyer kanë vështirësuar ndërhyrjen e forcave. Prioriteti kryesor është mbrojtja e banesave, ndërsa është kryer edhe evakuimi i banorëve. Në operacion janë angazhuar 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë.

Në Mal Milot, Kurbin, zjarri vijon të jetë aktiv, por aktualisht nuk paraqet rrezik për banesat. Në terren po punojnë forcat zjarrfikëse, ushtarake dhe bashkiake, ndërsa është kërkuar përforcim me trupa dhe mjete të Forcave të Armatosura.

Në Dajt, Tiranë, është evidentuar riaktivizim i vatrës së zjarrit. Operacioni po vijon nga strukturat e MZSH-së, AZM-së dhe Forcave të Armatosura, me mbështetjen e një helikopteri. Sipas të dhënave zyrtare, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Dukat, Vlorë, zjarri në zonën e Shatës është zgjeruar gjatë natës në drejtim të malit. Në operacion janë angazhuar forcat vendore dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Aktualisht, banesat nuk janë të rrezikuara.

Në Ballaxhiaj, Memaliaj, zjarri është nën kontroll dhe larg zonave të banuara. Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse, Policia dhe vullnetarë, ndërsa disa banorë janë evakuuar si masë sigurie.

Vatra aktive janë raportuar gjithashtu në Kalivaç, Shtuf, Gjorm të Sipërm dhe Hotolisht. Ndërkohë, zjarri në Lufaj, Mirditë, është nën kontroll dhe vijon të monitorohet.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin dhe koordinimin e situatës në të gjithë territorin, në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Forcat dhe kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me fokus mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë, si dhe izolimin e vatrave aktive të zjarrit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat