Shqipëria Postuar më 5 Nëntor 2025, 14:01

Rritet buxheti për rrugët - Projektet që financohen vitin që vjen. Nga korridori VIII, te bypass i Tiranës

Nga SCAN TV

Rritet buxheti për rrugët - Projektet që financohen vitin që

Buxheti për ndërtimin dhe sistemimin e rrugëve do të pësojë rritje gjatë vitit 2026. Sipas draftit të depozituar në Kuvend, për këtë zë buxhetor janë planifikuar 20.22 mld lekë, nga 18.53 mld lekë që ishte sivjet.

Referuar listës së shpenzimeve, projekti me vlerën më të lartë të financimit është ndërtimi i Korridorit 8 me një total prej 8.4 mld lekë, për 13 lotet ku aktualisht është duke u punuar. 

Një tjetër projekt i rëndësishëm që merr financim është bypassi i Tiranës, me gati 2.2 mld lekë. Gjithashtu, për këtë segment është përfshirë si zë buxhetor për herë të parë edhe loti III, teksa nisja e financimit parashikohet në vitin 2027.

Po ashtu, një zë buxhetor i ri është edhe ndërtimi i rrugës lidhëse Tiranë - Elbasan me koridorin VIII, që synon lehtësimin e trafikut që krijohet në afërsi të rrethrrotullimit të Bradasheshit, teksa financimi edhe për këtë projekt parashkohet të nisë në vitin 2027.

Buxheti i vitit që vjen siguron financim edhe për zgjerimin e autostradës Tiranë – Durrës, në 3 lotet ku aktualisht po punohet, ndërkohë që financimi për fazat IV dhe V, që u përfshinë si zëra për herë të parë vitin që shkoi, parashikohet të nisë në vitin 2027. Në total për këtë projekt, për vitin 2026 janë planifikuar 1.93 mld lekë.  Gjithashtu, buxheti i vitit që vjen parashikon financime për rikonstruksionin e rrugës Kombinat – Ndroq – Plepa, jo vetëm për lotin I, por sivjet janë buxhetuar edhe lotet II dhe III.  Këo 2 segmente janë të vetmit, për të cilët fillon financimi i ri, pasi gjithë projektet e tjerë janë vazhdim nga vitet e kaluar.

1 projeket që merr buxhet është edhe rehabilitimi i rrugës Fier -Kthesa e Patosit – Frataj, me 1.2 mld lekë, si dhe ndërtimi i fazës i të bypass-it të Sarandës, me një fond prej 720 mln lekë të vënë në dispozicion.

Paralelisht, do të vijojë financimi për kontratat e partneritetit publik – privat, me një vlerë totale prej rreth 5.3 mld lekë. Paratë do të shkojnë për koncesionin e rrugës së Arbrit, autostradën Milot – Morinë, ndërtimin e rrugës Orikum – Dukat, si dhe shërbimet inxhinierike të tyre, përfshirë edhe PPP-të për ndërtimin e aksit Thumanë – Kashar dhe Lekaj – Fier.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat