Shqipëria Postuar më 29 Gusht 2026, 10:21

Rregulla të reja për kujdesin social - Bashkitë marrin përgjegjësi për rastet emergjente

Nga Fabjona Pasho

Rregulla të reja për kujdesin social - Bashkitë marrin

Më shumë shërbime në shtëpi dhe më pak varësi nga qendrat rezidenciale. Këto janë disa nga ndryshimet e parashikuara në projektligjin e ri për kujdesin social, të cilin Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e ka hedhur për konsultim publik.

Drafti zgjeron mbështetjen për të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në nevojë. Kujdesi do të mund të ofrohet në banesë, përmes njësive lëvizëse, por edhe në distancë, me telefon ose platforma digjitale. Për familjarët që kujdesen çdo ditë për një person në nevojë parashikohet edhe mbështetje e përkohshme, për t’u lehtësuar barrën.

Rregulla më të forta vendosen për rastet emergjente. Kur jeta, shëndeti apo siguria e një personi është në rrezik, bashkia duhet të sigurojë mbrojtjen brenda 24 orëve. Nëse nuk e ka shërbimin e nevojshëm, duhet ta gjejë në një bashki tjetër dhe të vazhdojë ta ndjekë rastin.

Gjtihashtu, drafti I ri ndryshon edhe financimin. Fondet do të shpërndahen sipas numrit dhe nevojave të përfituesve, nivelit të vulnerabilitetit, largësisë së zonave dhe kostove reale. Për çdo shërbim do të përcaktohet një kosto reference, e cila do të përditësohet sipas indeksit të çmimeve.

Kategoritë që plotësojnë kriteret do t’i marrin shërbimet falas, ndërsa personat e tjerë mund të pranohen, nëse ka vende të lira, kundrejt një tarife të plotë ose të reduktuar, sipas mundësive ekonomike.

Projektligji parashikon gjithashtu reduktimin gradual të qendrave rezidenciale, shqyrtimin e ankesave brenda 30 ditëve dhe gjoba deri në 500 mijë lekë për ofruesit privatë që shkelin standardet. Megjithatë, relacioni nuk përllogarit faturën e reformës dhe as fondet shtesë që mund t’u nevojiten bashkive për përgjegjësitë e reja.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat